Trajneri i njohur Agim Canaj është ndalur së fundi tek ecuria e kampionatit shqiptar duke veçuar skuadrën e Vllaznisë dhe po ashtu ka folur edhe për sfidën e kësaj jave me Dinamon, të cilën e ka konsideruar shumë përcaktuese për të dy ekipet dhe vazhdimësinë e tyre.
“Do të thosha që këto skuadra kanë bërë investime shumë të mëdha në dy-tre vitet e fundit dhe Vllaznia është padyshim një nga ekipet më të investuara. Ka një cilësi shumë të mirë lojtarësh. Unë personalisht e kam drejtuar këtë skuadër tre herë dhe e njoh mirë edhe mentalitetin e saj. Në Shkodër ekziston ajo shprehja e famshme që futbolli është fe, prandaj presioni është gjithmonë shumë i madh. Çdo shkodran është i lidhur ngushtë me ekipin dhe pret me çdo kusht që Vllaznia të shpallet kampione.
Deri në këto momente, skuadra po ecën shumë mirë. Megjithatë, kampionati ka fazat e veta dhe ndeshjet bëhen gjithnjë e më të vështira. Një nga përballjet kryesore është ajo me Dinamon. Do ta quaja një ndeshje që ka prodhuar edhe një tension të panevojshëm. Unë i kam drejtuar të dyja skuadrat dhe i njoh mirë.
Kam luajtur edhe me Dinamon e viteve ’81- ’91 dhe nuk ka pasur kurrë konflikte, fitonim ne, fitonin ata, por marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Prandaj mendoj që në plan të parë duhet të jetë futbolli, jo agresiviteti. Janë dy skuadra që luajnë ndër futbollin më cilësor në Shqipëri dhe kjo duhet të reflektohet në fushë.
Unë pres një përballje shumë të fortë, sepse çdo rezultat i Vllaznisë ndikon drejtpërdrejt në garën për vendin e parë, ndërsa çdo humbje e Dinamos do të ishte një goditje e madhe për objektivat e saj të sezonit. Nga ana psikologjike, Vllaznia është në gjendje më të mirë se Dinamo, pasi ka marrë një fitore 2- 0 në Tiranë. Pra, momenti është në favor të saj. Megjithatë, kjo është një ndeshje shumë e veçantë dhe me presion të madh për të dy skuadrat.
Vllaznia ka edhe disa mungesa të rëndësishme, si ajo e Kastratit apo ndonjë lojtari tjetër të dëmtuar, por edhe Dinamo ka problemet e saj. Do të dëshiroja që të shihnim një ndeshje të bukur dhe të fitojë skuadra që e meriton. Është e vështirë të japësh një parashikim të saktë, sepse historikisht Dinamo ka fituar shpesh në Shkodër, ashtu si edhe Vllaznia ka fituar në Tiranë. Por ky është një moment shumë vendimtar për të dy ekipet. Do të jetë një ndeshje me presion të lartë sportiv dhe shpresoj që kjo të mos kalojë në situata të tjera jashtë frymës së lojës”- është shprehur Agim Canaj.


