“Do të shkojmë për të tentuar rezultat, pse jo, edhe fitoren”. Kështu u shpreh Edi Reja dhe pakkush e besoi se do të ishte e vërtetë diçka e tillë. Mes tyre edhe një ish-sulmues i ekipit kombëtar. Agustin Kola, në një bisedë për “Panorama Sport”, tregon ndjesinë e tij për 90- minutëshin në Stamboll.
Komenton paraqitjen e kuqezinjve, përgatitjen e ndeshjes dhe gjithçka ndodhi në mbrëmjen e të premtes. Legjenda bardheblu analizon edhe situatën që po kalojnë 24 herë kampionët e vendit. Po, ka pak për të gjithë: për drejtuesit, për trajnerin, për gjithkënd. “Pas tri vitesh për mbijetesë, mos prisni shkëlqim”, thotë ai ndër të tjera për gazetën.
Kola, si ju duk ndeshja e Kombëtares në Turqi?
Gjynah i madh. Gjynah, sepse kam parë një ndeshje të madhe. Kisha vite pa parë një të tillë.
Profesor, po ironizoni dhe kë mbi të gjitha?
Jo, jo. Më besoni, e them realisht.
Vërtet ju pëlqeu aq shumë?
Ju betohem që po. Më pëlqyen shumë elementë të veçantë dhe tërësia, pavarësisht mërzisë për rezultatin. Sipas meje, nga viti ’90, unë nuk kujtoj të kem parë ndeshje më të bukur të Kombëtares sonë. Realisht, më është dukur sikur po luante Reali me ndonjë ekip tjetër…
Çfarë ju bëri kaq shumë përshtypje?
Shqipëria që luan me gjashtë apo shtatë vetë në sulm. Në transfertë. Në Turqi. Shtatë vetë që ishin para-mbrapa gjatë gjithë kohës, vërtet e rrallë për ne. Për mua ishte një ndeshje e madhe.
Në fund, e pësuam sërish me atë “sindromën e minutës së fundit”. Çfarë ndodh, si mund ta riparojmë këtë defekt?
E di si është puna? Ne krahasohemi me të gjithë botën, thuajse të barabartë, por në fakt, ata kanë rezerva. Heqin pesë apo fusin pesë të tjerë, ata janë po njësoj. Ne mbase mund të mos i kemi, por gjykoj që ka qenë një ndeshje e mirë, pavarësisht episodeve.
Po thoni që ka vend për të diskutuar zëvendësimet?
Jo, jo. Fare! Përkundrazi, bravo i qoftë trajnerit! Bravo për lojën sulmuese që ka zhvilluar! Ne kemi parë edhe ndeshje të mira me Francën, por jo kështu ama.
I ktheheni kohës suaj?
Jo, jo. Nuk po flas për ko hën tonë, sepse ne ishim… Si të na vinte për mbarë. Kohëra të tjera. Për të vijuar mendimin, më erdhi shumë keq si përfundoi në raport me çfarë treguam në aspektin taktik, për përgatitjen e ndeshjes dhe gjithçka tjetër. Gjithsesi, është edhe fati në një ndeshje futbolli, i cili nëse nuk është në anën tënde, të peshon dhe rëndon shumë.
Profesor, pati episode në sulm që nuk u shfrytëzuan dhe një në zonën tonë na ndëshkoi. Si duhet t’i gjykojmë?
Sipas meje, nuk ka pse të gjykohet asnjë. Jua them me realizëm. Shpesh, ne nga dëshira për Kombëtaren tonë, nuk e shohim më se kush është kundërshtari. Jua përsëris, kam parë një skuadër si të ishte kë të them… Brazili. Ndër vite, nuk e kam parë një ndeshje të tillë.