Agustin Kola, një nga legjendat e Tiranës, zbulon prapaskenat e Kupës së Shqipërisë, që Tirana e humbi në finale me rezultatin 2-1 në vitin 2009.
I ftuar në “Radio Tirana” nga gazetari Ervin Baku, ish-sulmuesi i shquar rrëfen gjithçka për jetën e tij, por ndërkohë përmend edhe ish-presidentin e Republikës, Bamir Topin. Asokohe trajner i bardhebluve, tani Kola thotë se Tirana e shiti finalen e Kupës, sepse kështu donte Bamiri.
“Morëm kampionatin, paçka se nuk isha në ndeshjen e fundit, sepse ishin problemet që u shit ndeshja e Kupës së Republikës. Por nuk u shit për lekë, se Rit Halili s’ka shitur për lekë ndeshje. E ka shitur për politikë, se donte Bamiri. Ja, po e them troç”, deklaroi Kola.
Në atë finale, Topi, Gjika dhe Duka kanë qenë së bashku në stadium. Pas saj Agustin Kola dha dorëheqjen, ndërsa polemikat vazhduan më pas me akuza të Halilit ndaj lojtarëve dhe replika nga Vlora.