Ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares kuqezi, Agustin Kola ka folur për ABC sa i takon zërave të fundit për trukim të ndeshjes Bylis – Tirana. Kola thekson se vë dorën në zjarr për Tiranën dhe se presidenti Halili nuk i bën këto punë.

Ish-bomberi shprehet se Tirana mund të ketë favorizuar për miqësi por kurrë për lekë. Në fund një mesazh për trajnerin Emmanuel Egbo dhe punën e racizmit, ndërsa tregon se ende sot në Tiranë atë e thërrasin “malok”.

Ndeshja me Bylis? Mua më vjen keq për disa… Riti asnjëherë nuk shet ndeshje. E kam thënë dhe them. Më vjen keq për të dhe iu them të mos merret me ambientin jashtë, mos të merret me këta që flasin. Kështu e kanë sulmuar edhe në kohën tonë Tiranën, me gjëra të tjera. Tani e sulmojnë me këto. Për Tiranën i vë duart në zjarr. Tirana ka lënë ndeshje për miqësi, por jo për lek.

Fjalë për akuzuesit në studiot televizive? Futbolli ynë, nga viti 90 e këtej ka pasur shumë problemë. Kanë qenë protagonistë shumë lojtarë që sot dalin e flasin nëpër media. Le t’i bien troç. Ua them edhe me emra. Le të ulen të flasin me mua, Dabulla, Patushi apo edhe të tjerë.

Kukësi dhe derbi? Tiranën e shoh kampion, nuk është turp të të mundë Kukësi. Ata kanë një ekip perfekt. Shoh që njerëzit folin për atë që ndodhi me Bylisin dhe thonë që ‘jo Tirana nuk merr kampionatin, jo Tirana kështu, jo Tirana ashtu’. Tirana ka një ekip në ngritje. Derbi është derbi. Kur kemi qenë ne mirë, na kanë mundur ata. Ka ndodhur edhe e kundërta.

Egbo dhe racizmi ? Egbo ka merita, por të mos merret me racizmin. Unë kam luajtur vetë te Tirana dhe Egbo e di. Tiranasit janë një çik racistë, edhe sot më thonë malok. Babai më ka lindur këtu, sikurse edhe të tjerët. Prandaj mos të merret me këto punë, por të merret me ekipin./newsport/