Ndeshja Laçi – Partizani (4-3 pk) ka ngjallur shumë debat për vendimet e marra nga gjyqtari Kridens Meta përgjatë 90 minutave. Moviola ka treguar që arbitri i njohur ka gabuar dhe debatet në panelet e ndryshme sportive apo në rrjetet sociale janë të shumta. Bardh Maçi është një nga ish-gjyqtarët shkodranë të kampionatit shqiptar, i cili ironizon dhe tallet me situatën e prodhuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Sipas tij, Meta ka qenë i komanduar dhe nguron të përmendë sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku apo edhe shefin e sektorit të Arbitrimit, Sokol Jarecin. Ai thekson se nëse një padrejtësi e tillë do t’i ishte bërë ekipit të Laçit, masat e marra nga presidenti Laska do të ishin drastike.

Në një lajm të publikuar për deklaratën e Lorenc Jeminit, ku sipas tij Meta ka gabuar me dashje, Maçi shkruan: “E saktë Lorenco Jemini. Te kjo ndeshje nuk ishte Meta arbitër, por Ilir Shulku ose Sokol Jareci”. Ndërkohë një ndjekës tjetër shoqëron komentin e tij:

“Bardh Maçi, po t’ia kishte bërë Pashkut këtë punë, do kishte shkuar në shtëpi me fasho”. E menjëhershme është sërish replika e ish-gjyqtarit: “Fasho është lule, por s’di a do kishte shkuar gjallë. Harroje se ia bën Pashkut sepse është sikur t’ia bësh Dukës. Tani kuptoje vetë ti”, përfundon Bardh Maçi./newsport/