Elseid Hysaj është “telenovela” verore e merkatos së futbollistëve shqiptarë. Dhe është normale të ndodhë kështu: gjithnjë më të mirët dhe ata që luajnë në nivele të larta janë në qendër të vëmendjes.

Ka pasur shumë spekulime sa i përket të ardhmes së tij dhe me gjasë do të ketë shumë të tilla deri më 31 gusht. Por çfarë ndodh në të vërtetë me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare? A do të qëndrojë te Napoli? Ka shanse t’i bashkohet Sarrit te Juventusi? Sa është oferta që ka bërë Atletikoja e Madridit për shkodranin? Të gjitha këtyre pyetjeve u përgjigjet babai i futbollistit, Gëzimi. Kush më mirë se i ati e njeh situatën e tij…?

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Gëzim Hysaj rrëfen prapaskenat e orëve të fundit, por thekson se i biri ndihet mirë në Napoli.

Çfarë po ndodh me Hysajn? Pse është lënë jashtë listës së të grumbulluarve të Napolit?

Nuk është e vërtetë kjo. Lista që ka publikuar Napoli është paraprake, por për saktësim po ju them se të gjithë futbollistëve të Napolit që janë thirrur së fundmi nga kombëtaret e tyre u është dhënë leje deri më 12 korrik. Kjo është e vërteta.

A do të jetë Hysaj pjesë e Napolit edhe për sezonin tjetër?

Së pari, dua të them se Elsi (i biri) është shumë i lumtur te Napoli. Ai ka edhe dy vite kontratë. Ndihet shumë mirë në Napoli. Me qytetin dhe tifozët kemi një raport të shkëlqyer. Napoletanët janë shumë të ngjashëm me shqiptarët, madje akoma më shumë me shkodranët. Kemi miq aty dhe realisht im bir ndihet shumë mirë. Sa i përket të ardhmes, asgjë nuk i dihet.

Prej kohësh përflitet për një largim të tijin…

Është normale… Është një lojtar i zoti, luan prej 4 vitesh në nivele të larta në Itali dhe pa dyshim që ngjall interesin e shumë klubeve të tjera.

Ku do të luajë djali juaj sezonin e ardhshëm?

Është pak komplekse. Së pari, duhet të vendosë klubi, nëse është apo jo në projektin e tij. Deri tani, për hir të së vërtetës, nuk kemi pasur asnjë njoftim nga klubi. Unë e përsëris që djali im ndihet mirë te Napoli dhe nuk do të ishte aspak problem që të qëndrojë aty.

Dakord, por luan shumë pak dhe, nga sa raporton media italiane, është ndër lojtarët kryesorë që mund të largohet…

Unë nuk e përjashtoj largimin, sepse në futboll nuk ka asgjë të sigurt. Në këtë sport të ndryshon e ardhmja edhe brenda pak sekondash. Por, për të qenë korrekt, po ju them se deri tani nuk kemi pasur asnjë diskutim konkret me klubin. Nëse nuk do të jetë në projektin e së ardhmes së Napolit, atëherë do të shohim të gjitha mundësitë dhe ofertat që do të vijnë.

Hysaj

A ka pasur Hysaj oferta konkrete gjatë kësaj periudhe?

Po, ka pasur. Ofertë zyrtare, me sa di unë, ka bërë Atletiko e Madridit.

Si e vlerëson Hysaj mundësinë për të luajtur në Spanjë me Atletikon?

Nuk mund të flas për këtë. Më parë duhet të bisedohet në nivel klubesh dhe pastaj do të shohim.

Po oferta të tjera? Është folur edhe për disa klube angleze…

Po tregohem shumë i sinqertë: me aq sa di unë, ofertë konkrete ka bërë vetëm Atletiko. Mundet edhe të ketë kontakte apo bisedime, por unë vetëm kaq mund të them me siguri.

hysaj

Hysaj ka qenë një beniamin i Sarrit tek Empoli dhe më pas te Napoli. A ka shanse që ai t’i bashkohet Juventusit sezonin e ardhshëm?

Nuk di ta them këtë. Di vetëm që para dy vitesh Napoli e ka refuzuar ofertën e Juventusit për Hysajn.

Si ndodhi kjo? Mund të na e shpjegoni?

Juvja shfaqi interesim konkret dhe ishte i gatshëm ta merrte Elsin, por klauzola e Napolit prej 50 milionë eurosh për kartonin ishte realisht e lartë. Shumë e lartë. Napoli nuk pranoi asnjë negociatë për çmimin dhe kjo nuk u realizua. Kjo është historia që unë kam dijeni për Juven. Tjetër gjë nuk di të ketë ka pasur.

Ju ku do të donit që të luante djali juaj sezonin e ardhshëm?

Ky është një vendim që së pari i takon Elsit. Unë di që ndihet mirë në Napoli. Nëse vendos të shkojë diku tjetër, atëherë do ta diskutojmë. Por, nuk mund të flas në mënyrë hipotetike tani.

Shpeshherë Hysaj është kritikuar që ka tjetër rendiment në Kombëtare dhe tjetër me Napolin… Ju a bini dakord që me Shqipërinë efikasiteti i tij është më i ulët në fushë?

Në asnjë mënyrë. Hysaj jep gjithçka për fanellën kuqezi dhe për Shqipërinë. E ka bërë gjithmonë këtë, edhe kur ekipi kombëtar ka hasur vështirësi. Sepse, për hir të së vërtetës, disa vështirësi i kanë pasur pasi u largua De Biazi. Tjetër filozofi me Panuçin, tjetër më pas me Rejën… Nuk është edhe aq e thjeshtë. Futbollistët nuk janë makina, janë njerëz mbi të gjitha. Por askush të mos vërë në diskutim impenjimin e Hysajt.

Hysaj5

Vendimi që Hysaj ta bënte dasmën në Shkodër ishte juaji apo i Elsit?

I Elsit. As nuk e diskutonte që dasmën donte ta bënte në vendlindjen e tij. Është shumë i lidhur me Shqipërinë. Pushimet preferon t’i bëjë në Velipojë apo edhe në plazhe të tjera të Shqipërisë. Është jashtëzakonisht i lidhur me vendin e tij dhe kjo më bën krenar. Madje, kam një apel edhe për të rinjtë shqiptarë që kanë talent në futboll dhe kanë mundësinë që të luajnë për Shqipërinë: zgjidhni gjithnjë flamurin tuaj!

hysaj fiorenz

Nuk ju gëzon askush më shumë sesa flamuri kuqezi dhe nuk do të ndiheni asnjëherë më të vlerësuar se kur të luani për vendin tuaj. Unë jam shumë i lumtur që im bir sot është pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare, por mbi të gjitha që luan për vendin e tij. Është një ndjenjë krenarie e papërshkrueshme.

Kur është hera e fundit që një gjest i Hysajt ju ka bërë të ndiheni krenar që luan me Shqipërinë?

Gjithnjë, në çdo sekondë. Por, po ju tregoj se çfarë më pati ndodhur 2 vite më parë në Velipojë. Një zonjë me fëmijën e vogël m’u afrua dhe më kërkoi leje që fëmija i saj i vogël të bënte foto me Elsin. I vinte zor t’ia kërkonte këtë direkt tim biri. Patjetër që u treguam të disponueshëm dhe pasi bëri fotot u afrua sërish e më pyeti:

“A e dini pse doja që t’i bëja këto foto me djalin tuaj”? Mendova si një kujtim të momentit, por ajo vazhdoi më tej: “Sepse dua që këto foto t’ia dërgoj djalit të madh që jeton në Itali dhe nuk ka dëshirë të vijë e t’i kalojë pushimet në Velipojë. Dua t’i them atij se kur Hysaj i kalon pushimet në Velipojë, atëherë edhe ai duhet të bëjë të njëjtën gjë…”. Më la pa fjalë, por ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë.