Vllaznia siguron portën. Kështu, nuk do ketë vetëm largime pas mbylljes së sezonit dhe përfundimit të kontratave. Drejtuesit kanë gjetur parimisht dakordësinë me Bojan Zogoviç për sezonin 2022-2023.

Burime të sigurta bënë me dije për “Shkodra Sport” se pas bisedave të vazhdueshme me drejtuesit e klubit kuqeblu, malazezi është bindur për të qëndruar edhe një tjetër vit në Shkodër. Edhe pse mungon një konfirmim zyrtar nga palët për zgjatjen e bashkëpunimit, gjithçka duket se është në rrugën e duhur.

Nga sa mësohet, vetë portieri po mendon zgjatjen e kontratës me kuqeblutë dhe me shumë mundësi kampionatin e ardhshëm, ai do të jetë sërish numri një i katërkëndorit.

Nga ana tjetër, edhe në klub pranohet se ka pasur bisedime të vazhdueshme mes palëve dhe gjithçka po shkon drejt firmës. Ambicia dhe plani i shkodranëve e josh shumë 33-vjeçarin që sezonin e fundit luajti 34 takime si titullar në elitë. Bojan Zogoviç së bashku me Esin Hakajn dhe Mevlan Adilin, kanë qenë nga të parët futbollistë që janë takuar menjëherë, pas mbylljes së kampionatit me presidentin Alban Xhaferi.

Ndërkohë, nëse Bojan Zogoviç llogaritet si portier i parë dhe është shumë pranë marrëveshjes, Vllaznia do ketë edhe alternativa të tjera për këtë repart. Fjala është për portierët Kristi Qarri dhe Entoni Shkoza

Të dy janë të rinj dhe me tepër cilësi, por që duket se për momentin janë zgjedhje e dytë për Vllazninë. Klubi i ka idetë të qarta, kërkon të ndërtojë një ekip cilësor që të mos diskutojë titullin.
Maringlen ZHIVANI