Një ditë më parë, kreu i Teutës, Arqile Gorea, tronditi me disa akuza të rënda në drejtim të Ligës Unike dhe jo vetëm ndaj saj. Drejtuesi i lartë i skuadrës bregdetare kontestoi mënyrën e përzgjedhjes së arbitrave, ndërsa akuzoi krerët e Federatës Shqiptare të Basketbollit se po ndërhyjnë në kompeticionin mbarëkombëtar, ndërhyrje për të cilat Gorea beson se kanë lidhje me trukime dhe manipulime të ndeshjeve në baste.
Pas këtyre akuzave të forta, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e Ligës Unike, Ilir Trebickën. Ky i fundit mohon kategorikisht që në ligë të ketë ndërhyrje, duke e konsideruar këtë institucion të pavarur.
“LIGA UNIKE, E PAVARUR”
Për presidentin Ilir Trebicka, nuk ka asnjë dyshim, Liga Unike është një institucion i pavarur dhe pa asnjë ndërhyrje: “Më të pavarur se kaq nuk e di çfarë të them. Jemi një institucion privat, të gjithë anëtarët janë privatë, nuk kemi asnjë lidhje nga federatat, të cilat miratojnë vetëm buxhetin.
Për të gjitha të tjerat miratohen shpenzimet në fund dhe më të pavarur se kaq nuk e di çfarë mund të shtoj”.
TËRHEQJA NGA GARA
Në fund drejtuesi më i lartë i Ligës Unike komentoi edhe kërcënimin me tërheqje nga gara të Teutës, në rast të mosplotësimit të kërkesave të parashtruara: “Z.Gorea i kam thënë: ‘Nëse dëshiron të largohet, largohu’.
Ne me zor nuk mbajmë njeri në ligë. Secili përfaqëson klubin e tij. Liga ka disa sanksione, do t’i marrë dhe kaq. Pse duhet t’i mbajmë me zor ne njerëzit kur kanë akuza kaq të forta?”, përfundoi presidenti i Ligës Unike, Ilir Trebicka.