Një takim i presidentit Ardjan Takaj me trajnerin Armando Cungu ka sjellë aludimin e një bashkëpunimi mes palëve, edhe pse skuadra korçare, në drejtimin e trajnerit Ilir Daja, po ecën shumë mirë aktualisht.Por sqaron gjithçka në lidhje këtë histori vetë trajneri Armando Cungu, i cili për “Vip Sport” u shpreh: ”Nuk kam të drejtë të pi kafe me një person, të cilin e njoh prej vitesh? Kam shumë vite që punoj me skuadrat e futbollit shqiptar dhe kam vënë respekt me punën time kudo ku kam qenë.

Me presidentin e Skënderbeut njihemi prej kohësh dhe ishte një kafe respekti, asgjë më shumë se kaq.

Skënderbeu e ka trajnerin, madje e ka të shkëlqyer. Ajo kafe nuk ka lidhje me punën e trajnerit te Skënderbeu. Ishte një kafe miqësore, por këtu te ne gjithmonë aludohet”, – ka theksuar trajneri shkodran.

DY OFERTA

Më tej, trajneri Cungu pohon se ka dy oferta për të drejtuar në Superiore dhe në Kosovë, por duhet të vendosë, nëse do t’i përkushtohet karrierës apo familjes: “Të jem i sinqert, kam oferta, një nga Superiorja dhe një nga Kosova, por nuk kam vendosur.

Duhet të mendohem mirë, pasi duhet të zgjedh mes karrierës si trajner dhe familjes, pasi kjo e dytë ka shumë rëndësi për mua. Të them të drejtën, po më pëlqen kështu si jam tani, jam i qetë dhe i përkushtohem familjes”, – u shpreh trajneri Armando Cungu.