Vllaznia është kampione dimri për sezonin 2020-2021. Pas fitores 5-1 të shkodranëve kundër Skënderbeut ka folur Alban Xhaferi. Sponsori i Vllaznisë u shpreh i lumtur për suksesin e ekipit të tij, ndërsa tregoi se do të ketë ndërhyrje në merkaton e dimrit.

Në fund, Xhaferi përmendi edhe ndeshjen e javës së ardhshme kundër Tiranës, skuadër të cilën ai e vlerëson maksimalisht.

“Ky është sukses i të gjithëve. Është një gëzim i madh për gjithë qytetin. Vllaznia rikthehet aty ku duhet të jetë.

Merkato? Po kemi bërë disa diskutime. Kemi disa opsione të mira. Ekipi ky do të jetë, thjesht do të përforcohen repartet. Po studiojmë me kujdes të gjithë emrat. Por, gjithashtu mund të ketë edhe largime. Po përgatitemi fuqishëm. Jemi brenda kohës së mjaftueshme. Kemi kohë të vendosim.

Da Silva? Ka pasur një dëmtim, po e studiojmë me kujdes gjendjen e tij. Shpresoj të rikthehet sa më shpejt në fushë, bën diferencën.

Dunga? Është në procedurë pasaporte. Kanë rregulla më strikte në Kenia, është edhe periudha e Vitit të Ri. Por, shpresojmë që të jetë në Shqipëri deri në 10 janar. Faktikisht duhet të jemi me këmbë në tokë. Kemi përgjegjësi. Kemi treguar se jemi këtu dhe jemi të fortë dhe nuk kemi problem asnjë kundërshtar.

Tirana? Ndeshjet me Tiranën dalin përtej luftës në fushë. Është një derbi me dy skuadrat më të vjetra në Shqipëri. Tirana është një skuadër e mirë. Ne shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv”, tha Xhaferi për mediet.