
Mesfushori shkodran Albert Kaçi pas përpjekjeve për të kaluar tek Vllaznia dhe dështimit të këtij kalimi për shkak të moslejimit nga ana e drejtuesve të Besëlidhjes, është detyruar të kthehet tek kjo e fundit për të luajtur në fazën e dytë. Ky është një tjetër lajm i mirë për stafin drejtues por edhe për tifozët e kësaj skuadre sepse dihen vlerat e Kaçit. Ky i fundit do t’u bashkohet lezhjanëve, ku do të nisë stërvitjen në kuadër të fazës së dytë të kampionatit. Në këtë mënyrë, shkodrani 31 vjeçar nuk ka patur rrugë tjetër veçse të kthehet e të zbatojë kontratën që ka me lezhjanët deri në fund të sezonit. Ai do jetë një përforcim i rëndësishëm për trajnerin Malko për vetë vlerat që ka. Sigurisht prej këtyre vlerave edhe dy trajnerët e Vllaznisë, si Shpëtim Duro ashtu edhe aktuali Artan Bushati, kishin dëshirë ta kishin në skuadër por nuk ia arritën dot qëllimit për shkak të dokumentacionit. Megjithatë zgjidhja që lojtari ka bërë duke u kthyer në Lezhë dhe të mos qëndrojë pushim, duket më e mira për momentin për të.
www.shkodrasport.com