Albi Shkëlzen Koleci i datëlindjes 06.02.2006, nxënës në klasën e VIII-të, të Shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja” Lezhë, është shembulli më pozitiv që duhet marrë nga të gjithë bashkëmoshatarët e vet dhe jo vetëm. Pasi ai spikat për rezultate të shkëlqyera në mësime, dhe rrezaton sjellje dhe edukatë për tu patur zili, e kultivuar kjo nga familja e tij e mrekullueshme.

Në vitin shkollor 2018-2019 ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, duke marrë edhe Fletëlavdrimi, si nxënësi më i mirë i shkollës. Gjë e cila duhet vlerësuar pasi Albi Koleci, gjatë gjithë vitit 2019 ka patur edhe angazhime të tjera si në: – kurse të gjuhëve te huaja (Anglisht, Italisht, etj); kurse të avancuara të Matematikës; seanca stërvitore me ekipet: F.C.Besëlidhja, F.C.Internacional Tirana, Ekipi Kombëtar Rajonal Shkodër, duke i realizuar të gjitha këto me shumë sukses, po kështu edhe në mësime ka arritur rezultate të shkëlqyera. Gjë e cila duhet marrë shembull nga shumë moshatarë të tij dhe jo vetëm në Lezhë dhe më gjerë.

Gjithashtu futbolli është pasioni i tij të cilin ai nuk e ndanë nga mësimet. Teksa e ka ushtruar dhe e ushtron këtë sport magjik përmes trajningut dhe aktivizimit me ekipet zingjir të moshave të “Besëlidhjes” që nga U-9 e në vijim, prej më shumë se gjashtë vitesh me emra të njohur të futbollit dhe trajningut lezhjan dhe jo vetëm si: Pjetër Lesi, Atilio Lesi, Edmond Loshi, Prelë Licaj, Leonard Perloshi, Vesel Sokoli, Mirsad Gruda, duke arritur që të bëhet një lojtarë që spikat dhe bën diferencën nga lojtarët e tjerë për vetë aftësitë individuale që demonstron në tapetin e blertë.

Ai është një lojtar mjaft potent dhe i fuqishëm me grintë dhe i shpejtë, që “fluturon” në ajër dhe është zotërues i përpiktë i topit në lojën tokësore. Një lojtar që markon me përgjegjësi dhe ç’markohet shpejt duke u bërë rrezik potencial për kundërshtarin në çdo pozicion që luan dhe godet portën. Lojtar që i shërben lojës kolektive të ekipit, por dhe luan individualisht mjaft mirë dhe rrezikshëm. Një lojtar që luan në të gjitha rolet në fushën e blertë të futbollit. Apo më mirë me thënë: – Një talent i lindur në futboll që po shkëlqen!

Aftësi të cilat kanë bërë që ai fillimisht të grumbullohet me ekipin përfaqësues të rajonit të Veriut në Shkodër U-13 (në edicionin 2018-2019), ekip i cili u shpall kampion i vendit nën drejtimin e trajnerit Edvin Beqiri dhe më pas (2020) me ekipin përfaqësues të kombëtares Shqiptare U-15, me trajner Armand Dami, ku në respekt të rajonit prej nga është grumbulluar, i kanë dhënë fanelën me nr 2, pikërisht me atë numër që ka mbajtur mbi shpinë i madhi Hysen Zmijani, që aktualisht është Përgjegjës i FSHF për Rajonin Shkodër.

Në edicionin futbollistik 2019-2020 Albi Koleci, është pjesë e ekipit ”Besëlidhja” U-15, me trajner Edmond Loshin, ku ekipi lezhjan ndodhet në vendin e dytë të kampinatit rajnal Shkodër, pas ekipit shkodran “Atletik”, dhe rivalizon me të për vendin e parë. Ndërkohë që duhet theksuar fakti se në ndeshjet e kupës për këtë edicion, (që u ndërprenë për shkak të situatës epidemike) ekipi lezhjan në përballjen e parë me këtë rival e ka mundur atë me rezultatin 2-1, ku Koleci shënoi golin e dytë, pas golit të parë të shënuar nga kapiteni i ekipit Elio Dedaj. Duke dëshmuar se ekipi “Besëlidhja” U-15, nën drejtimin e trajnerit Loshi, pavarësisht se është e vetme përballë ekipeve të gjitha shkodrane, i synon të dyja trofetë e këtij kompeticioni.

Teksa shprehet i kënaqur me ekipin që ai drejton trajneri Edmond Loshi thotë se: “Këtë grup djemsh të mrekullueshëm dhe të edukuar, por që disa prej tyre premtojnë për të ardhmen për tu bërë edhe futbollistë të mirë i kam drejtuar për shumë kohë. Dhe si me thënë jemi familjarizuar së bashku por në stëvitje dhe lojë respektojnë rigorozisht seicili detyrat dhe rolet e veta. Jam i kënaqur që rezultatet e tyre nuk kanë munguar pasi vjet me ekipin U-13, u shpallëm më të mirët në rajonin e Shkodrës dhe lojtari Albi Koleci u vlerësua si lojtari i perspektivës dhe lojtari më i mirë i këtij evenimenti.

Çelësi i suksesit të skuadrës U-15, që unë drejtoj është harmonia dhe kolektiviteti i ekipit në fushë dhe jashtë saj, ku padyshim bërthama e skuadrës bëjnë diferencën duke filluar me: – mbrojtjen që është pika më e fortë e skuadrës. duke veçuar këtu mbrojtësin Pjetër Biba dhe theksuar faktin se jemi ekipi që kemi pësuar më pak gola; mesfushën duke filluar me kapitenin e skuadrës Elio Dedaj. vijuar me lojtarët Enrik Nikolli dhe Amarildo Kola për të mbërritur tek sulmi i ekipit me sulmuesin kryesor Albi Koleci i cili është dhe golshënuesi më imirë i kampionatit të paktën deri tani.

Ai në 16 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 27 gola, me një mesatare të kënaqshme mbi 1.5 gola për ndeshje. Ndërkohë që ekipi ynë ka shënuar më shumë gola sesa çdo ekip tjetër në këtë kampionat, ku padyshim Koleci ka “pjesën e luanit” me golat e shënuar për ekipin tonë i ndjekur nga mesëfushorët; Dedaj dhe Nikolli. Sa i përket performacës së tij individuale, Albi Koleci është lojtar ku pikën kryesore që e karakterizon ka shpejtësinë që në shumicën e rasteve e nxjerr superior ndaj kundërshtarit. Ai është shumë profesionist në stërvitje. Ka ego dhe grintë shumë të madhe.

Është një lojtarë që e njeh shumë mirë lojën në ajër ku avantazh ka gjatësinë trupore (1.82 m) me një kondicion dhe përgatitje të lartë fizike, atletike, tekniko-taktike të admirueshme, që mund të luaj në disa role në fushën e blertë”, përfundon prononcimin e tij trajneri Loshi.

Albi Koleci ka arritur një sërë vlerësimesh në aktivitetet rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe konkretisht: Aktualisht është kapiten i ekipit kombëtar shqiptar U-15 (2020); Është shpallur: “Lojtari më i shpejtë” në turneun “Elite Neon Cup-2019” zhvilluar në Athinë, ku ka luajtur për ekipin “F.C.Internacional Tirana”, duke mbajtur numrin 45, dhe ka qenë kapiten i këtij ekipi;

Në turneun e zhvilluar në Itali (2019) me ekipin “Besëlidhja”, nën drejtimin e Presidentit Ludovik Pjetraj dhe trajnerit Edmond Loshi, ekipi Beselidhja (U-13) ka realizuar ndeshje shumë të mira, ku ka spikatur futbollisti Albi Koleci, me golat e shënuar dhe perfeksionin e treguar në lojen e tij, ku dhe është admiruar nga mjaft specialist dhe admirues të futbollit Italian, duke e cilësuar si: “Talent i futbollit Lezhjan”; Kampion i vendit me Ekipin Kombëtar Rajonal Shkodër U-13 me trajner Elvin Beqiri, dhe ka qenë kapiten i këtij ekipi dhe mbajtur nr.9, që e mban edhe me ekipin “Besëlidhja U-15”;

Është shpallur “Lojtari i perspektivës” për moshën U-13 (në edivionin 2018-2019), në kupën e organizuar në nderim të legjendës së portës shkodrane dhe asaj kombëtare të madhit Paulin Ndoja; Ka zhvilluar mbi 15 ndeshje ndërkombëtare, në Itali. Greqi, etj, përballë ekipeve me emër si: “Liverpool”, “Aek”, “Aris”, “Parathinaikos” “Panionas”, “Partizani i Beogadit”, “Qipro”, etj, si dhe disa ndeshje me ekipin kombëtar U-15, ku ka spikatur dhe është vlerësuar nga specialistë futbolli vendas dhe të huaj dhe veçanarisht nga trajnerët e kombëtareve shqiptare Edi Rea, Alban Bushi dhe Armand Damo.

Duke ndjekur rezultatet e tija në sport dhe në mesime Albi Koleci në sezonin futbollistik 2020 është zgjedhur si lojtarë i përfaqësueses Shqiptare të Futbollit U-!5 të Shqipërisë, ku në muajn Janar 2020 është grumbulluar me ekipin Shqiptar të futbollit për moshat U-15 në Durrës, ku në dy ndeshjet përgatitore ka bërë një performancë të shkëlqyer duke marrë shumë vlerësime nga të gjithë specialistët e sportit.

Edhe tani në kushtet e vetëkarantimit, Albi vijon intensivisht punën me librat pa harruar edhe stërvitjen individuale, për ti shërbyer ruajtjes së formës së tij fizike. Dhe është i bindur se, së shpejti do t’i rikthehet jetës normale për të vazhduar dhe realizuar ëndrrat dhe pasionet e tij në të gjitha fushat e jetës, me kërkesa për të qenë shembull për veten, familjen dhe shoqërisë. Edhe pse është në moshën 14-vjeçare, Ai padyshim që është shembulli më i mirë që duhet ndjekur nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe jo vetëm.

U përpoqa që përmes këtij shkrimi modest të sjellë për lexuesit këtë shembull shumë të mirë dhe modelit për tu marrë të Albi Kolecit, i cili meriton të evidentohet dhe promovohet, pasi është vërtetë një talent në kuptimin e plotë të fjalës. Suksese Albi!…
Martin DEDAJ