Në një shesh të asfaltuar në mes pallateve në lagjen Parrucë, në mes një grumbulli djemsh të moshës 10-12 vjeçare, më tërheq vëmendjen edhe një vajzë. Luan pa ndrojtje përballë shokëve të saj të lagjes dhe me trupin e saj të njomë e të hollë, me një shtatëlartësi të kaluar për moshën 11 vjevçare, lëviz shumë bukur dhe me një elegancë me topin, ndërsa goditja e saj është perfekte, si e një djaloshi.
Diku aty afër ishte edhe babai i saj, i cili e nuhati që unë po e ndiqja me kureshtje. I mësova edhe emrin- Aldisa Kronaj, nxënëse në klasën e 6-të në shkollë “Ndre Mjeda”.
“Aldisa është shumë e apasionuar pas futbollit”- më thotë babai i saj- Brigeni. Luan me ekipin U11 të “Atletik Klub Shkodra”. Preferon të luaj më shumë në mes të fushës, por finalizon edhe sulmet e ekipit. Duke luajtur përkrah Moires, Aminës, Eljonës, Aldisa ka shënuar mbi 30 gola, që kur është rradhitur në këtë ekip, në kampionatin rajonal të moshave”.
“Kam dëshirë të afirmohem në futboll, pasi Shkodra ka ekipe serioze si Vllaznia kampione, për disa vite me rradhë, “Juban Danja” etj. Jam shumë e kënaqur me trajnerët Erjon Mandi dhe Elis Legata, që më vlerësojnë e më nxisin të perfeksionoj më tej përpunimin e topit, pasimet e goditjet në portë. Por është edhe interesimi e mbështetja e presidentit Elton Bungaja”- shprehet vetë Aldisa.
Babai i saj më tregon edhe kupat individuale apo ekipore që ka fituar ajo në ballafaqimet e kampionateve të moshave në Shkodër.
Një çertifikatë me kupën përkatëse si “lojtarja më e mirë”, një tjetër çertifikatë e kupës si “Lojtarja e së ardhmes” nga “Shkodra summer” në qershorin e këtij viti.
Por Aldisa nuk mjaftohet vetëm me atë që argëtohet e djersin me ekipin e saj. Ajo ndjek të gjitha ndeshjete Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”, bile edhe jashtë Shkodrës, ndeshjet e kampionatit kombëtar të femrave dhe ndeshjet e ekipit kombëtar. Ndaj dhe fotot që ajo ka seleksionuar, me trajnerin gjerman Brdariç, me mbrojtësin e kombëtares Elseid Hysaj etj, janë shumë të rëndësishme për të.
“Kam shumë idhuj, si në futbollin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Mund të përmend këtu Megi Doçin apo Levandovskin. Por unë e di që duhet shumë punë dhe angazhim për të arritur tek më të mirët”- thotë Aldisa.
Por me përkushtimin që ajo ka për futbollin, nuk do të jetë vonë dita kur Aldisa Kronaj do të prezantohet edhe në ekranet televizive, gazetat e portalet sportive.
Namik MEHMETI