Masimiliano Alegri i gëzohet suksesit të radhës me Juventusin dhe mendon se ekipi po kthehet në rrugën e duhur. Pas fitores 1-0 në ndeshjen ndaj Torinos me gol të Lokatelit, tekniku i bardhezinjve theksoi se do ishte mëkat nëse skuadra do të mbyllte një ndeshje të tillë pa e fituar.
“Lokateli është përshtatur mirë, ka shumë mundësi përmirësimi, ka filluar të shohë më shumë gjërat në plan afatgjatë dhe në aksionet e lojës vendoset në rolin e regjisorit. Është i mirë, ka teknikë.
Të luajmë pa sulmues qendre? Kieza në pjesën e dytë ka bërë mirë rolin e qendërsulmuesit, hyri mirë në fushë Kaio edhe pse pat dy kontakte me topin, por shihet që është një djalë i shkathët. Edhe Kulusevski hyri mirë në fushë. Mendoj se kjo skuadër në javët e fundit ka gjetur frymën e duhur, dëshirën për të mbrojtur kur duhet mbrojtur. Do të më vinte shumë keq nëse nuk do të fitonim një ndeshje të luajtur kështu, ndoshta përtej pjesës së parë kundër Milanit, ishte ndeshja më e mirë që kemi bërë”, tha Alegri.
Trajneri më pas nuk evitoi dot një batutë për Bonuçin, me të cilin prej kohësh thumbohet me humor në distancë në konferencat për shtyp. “Leonardo është rritur shumë në aspektin e qetësisë, të përgjegjësisë në raport me grupin. Më parë mendonte më shumë për veten. Kjo është diçka e mirë, por edhe diçka e keqe, pasi do të thotë se po plaket”, tha duke qeshur trajneri i Juventusit.