Portieri i Egnatias, Alen Sherri, referuar rezultateve negative të skuadrës, u shpreh se rrogozhinasve i mungon grinta dhe lufta sportive.Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Sherri deklaroi se Tirana është skuadra më e fortë në kampionat.

Sipas tij, për investimet e bëra deri tani, Egnatia duhet të kualifikohet në kupat e Europës. “Kemi bërë dy faza shumë të mira dhe pozicioni ishte i kënaqshëm. Në javët e fundit na kanë munguar pikët. Nëse i marrim ndeshjet një nga një, del diçka që ka ndikuar te rezultatet negative.

Ekipi është i njëjti, janë bërë disa ndryshime, që ndoshta kanë ndikuar. Ne jemi akoma aty, na ka humbur vetëm pak besimi në vetvete. Nëse rregullojmë këtë dhe grintën, mund të kthehemi aty ku ishim në dy fazat e para.

Në ndeshjet e fundit, nuk kemi arritur të mbajmë dot rezultatin. Më parë kemi qenë cinikë. Na ka munguar pak grinta. Kur jemi në avantazh na duhet ta mbrojmë.

Ndeshjet e Tiranën për ne, nuk meritojmë që të kemi këtë bilanc. Në ndeshjen e parë i kemi dominuar, pavarësisht se nuk fituam. Kështu edhe në ndeshjen e fundit, ku ishte një ndeshje me dy tablo.

Tirana është një ekip me emër të madh dhe mendoj se janë ekipi më i fortë në këtë kampionat. Janë i vetmi ekip që kanë ruajtur organikën nga sezoni i kaluar.

Për investimin që është bërë, ky ekip meriton Europën. Kampionati është vërë shumë i paparashikueshëm. Të gjitha ekipet janë në presion. Jo vetëm ne, por në këtë fazë çdo ekip do jetë në presion. Ekipi që do e mbajë presionin më mirë, do ia dalë në fund.

Ndryshimet që janë bërë në ekip, ndoshta kanë ndikuar. Kemi bërë ndryshime në sulm. Fryma në grup është shumë e mirë. Grinta është problemi jonë kryesor. Duhet të sakrifikojmë më shumë dhe të luftojmë më shumë. Na ka rënë lufta sportive.

Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Ndaj ekipeve të forta kemi marrë më shumë pikë. Normalisht fusha e Laçit është shumë e vështirë. Ideale do ishte të fitojmë. Në mund të përballemi si të barabartë me çdo ekip. Janë të treja rezultatet në lojë”- eshte shprehur portieri shkodran Alen Sherri.