Me Realin e Madridit që prej kohësh kërkon në merkato sulmues elitarë, si Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe së fundmi, “bomberin” e Juventus, Dusan Vlahoviç, nuk duket çudi që largimi i “topit të Artë”, Karim Benzema të jetë më afër seç pritej nga tifozat e “galaktikëve”.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar dhe mediat spanjolle, të cilat kanë mësuar gjithashtu dhe faktin që rinovimi i kontratës së “bomberit” francez dhe madrilenëve, nuk është në rrugën e duhur, duke e distancuar edhe më shumë Benzeman me klubin.

Mirëpo, mediat spanjolle duket se kanë gjetur dhe “aventurën” e radhës të 35-vjeçarit, me destinacionin më të mundshëm të tij, që pritet të jetë Arabia Saudite. Skuadra e interesuar për shërbimet e francezit nuk është bërë ende me dije, por shifrat e kalimit janë zbuluar dhe pritet që Benzema të përfitojë plot 120 milionë euro, për një kontratë vetëm 2-vjeçare.

Pas kalimit të “luzitani” Cristiano Ronaldo tek Al-Nassr, duket se klubet arabe tashmë kanë konfidencën e duhur për të afruar lojtarë të mëdhenj dhe t’i ofrojnë atyre sfida të reja, por dhe shuma të mëdha parash si pagesë.