Dita e sotme shënon 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të një figure të njohur të futbollit shkodran dhe shqiptar- Artan Bushati. Ai u nda nga jeta shumë para kohe si shkak i një sëmundje të rëndë, duke lënë pas një pikëllim të madh jo vetëm tek familja, por edhe tek shokët e miqtë e tij.
Artan Bushati lindi në Shkodër në 9 tetor të vitit 1963. Gjatë karrierës së tij si trajner futbolli, përveç skuadrës së Kombëtares U-21, ai ka drejtuar edhe skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë. Bushati ka qenë edhe trajner i ekipit të Elbasanit, ekip të cilin e nxorri nënkampion të vendit.
Megjithatë, në fakt të gjithë e kujtojnë Artan Bushatin si trajneri i ekipit të Kombëtares U-21, të cilin e drejtoi për një periudhë prej gati pesë vitesh. Gjatë këtyre pesë viteve që Kombëtarja Shpresa drejtohej prej tij, ka arritur rezultate pozitive dhe ka nxjerrë një sërë futbollistësh, të cilët i kanë shërbyer edhe ekipit të Kombëtares së Shqipërisë.
Ndërkohë, te skuadra e Vllaznisë ai u rikthye në fillim të vitit 2012, kur në drejtim të klubit erdhi ish-presidenti Agron Çela. Bushati, me një skuadër me organikë të cunguar, arriti që të bënte një fazë të dytë të mirë me kuqeblutë, duke mos arritur dot Kupat e Europës, por gjithsesi duke mos rrezikuar mbijetesën.
Po ashtu, gjatë karrierës së tij, Bushati ka të rregjistruar emrin edhe në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë, në njërën prej ndeshjeve më historike të vendit tonë, miqësoren me ekipin e Milanit.
Për shumë vite po ashtu, ka qenë shumë pranë klubit Vllaznia, në rolin e konsulentit të ish- presidentit Myftar Çela, madje ka mbajtur edhe funksione të tjera në klub.
Gjithë jetën e vet të shkurtër, Artan Bushati ia dedikoi futbollit, për të cilin u shkollua në arsimin e mesëm dhe u diplomua në Institutin e Lartë. Si një student i shquar, si një kuadër i përgatitur, si një trajner i talentuar, Bushati nuk reshti kualifikimin e tij në Shqipëri, UEFA apo edhe vende të tjera të kontinentit.
U nda nga jeta më 29-gusht 2013, në moshën 49-vjeçare. Artan Bushati është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i madh”, (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës.
Gjergj KOLA