Pep Guardiola dërrmoi Çelsin mbrëmjen e djeshme, por ai vazhdon të mbështesë Graham Poterin dhe skuadrën e tij.

“Janë shumë të fortë, më besoni”, tha trajneri i Mançester Sitit, ndërsa këshilloi edhe pronarin Tod Bohli që të mos e shkarkojë teknikun e bluve.

“Unë do t’i thosha Tod Bohlit se ishte një kënaqësi që e takova e nëse do të kisha mundësinë do ta këshilloja që t’i jepte kohë Poterit. Unë e di që në klubet e mëdha rezultatet janë të rëndësishme, por unë do t’i jepja kohë. Ajo që ai ka bërë në pjesën e dytë është fantastike dhe ajo që ka bërë te Brajtoni ishte e shkëlqyer.

Të gjithë trajnerët kanë nevojë për kohë. Ne kemi nevojë për kohë çdo sezon. Te Barcelona kishte një arsye, sepse unë kisha Mesin atje dhe nuk më duheshin dy sezone, por më mjaftonte një”, shtoi tekniku i “Qytetarëve”, i cili është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij: “Pjesa e parë ishte fantastike, pas golit dominuam në çdo aspekt”.