Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për sportin e notit në Shkodër, padiskutim që nuk mund të anashkalojmë kurrsesi një emër: atë të Enver Muriqit. Njeriun që i ka dhënë shumë këtij sporti, fillimisht si notar dhe më pas si trajner.
U ndalëm sot te ky personazh sepse kjo është një ditë e veçantë, pasi përkon me 92-vjetorin e lindjes së tij. Ky është momenti i duhur për ta kujtuar Enverin, i cili prej gati dy vitesh nuk ndodhet më mes nesh.
Enveri lindi në Shkodër më 21 janar 1934 dhe është një nga pjesëtarët e një familjeje që ka pasur në radhët e saj rreth 18 vetë, të cilët kanë përfaqësuar me dinjitet klubin Vllaznia dhe kanë kontribuar për të.
I vëllai i madh Ismaili, Agimi, Media, Sindriti, Kudretja, Liria etj. Por Enveri për ta ka qenë si një timonier i mirë. Rezultatet e tij në not përbëjnë padyshim një epokë.
Që fëmijë, Enveri frekuentonte Urën e Bunës dhe Shirokën. Vendosi t’i përkushtohej notit dhe për vite me radhë, bashkë me emra të tillë si H. Zaganjori, Menduh dhe Emin Lishi, S. dhe Z. Ibrahimi, I. Elezi, vëllezërit Mark, Tef, Zek e Rok Shestani, E. Avdija, L. Burgia, O. Beja, Sh. Gjoni, do të jepnin një kontribut të madh në këtë sport.
Notin Enveri e filloi në vitin 1948. Trajnerin e parë kishte mësuesin e edukimit fizik Ibrahim Dizdari, i cili kishte mbaruar studimet jashtë vendit. Nuk kaloi shumë kohë, vetëm 2–3 vjet, dhe ai u shpall kampion kombëtar me të rinjtë, që në vitin 1951.
Garat për herë të parë u zhvilluan në Shirokë të Shkodrës. Më vonë, në vitin 1954, ai shkoi ushtar te Klubi i Partizanit. Në atë kohë, Klubi i Partizanit grumbullonte sportistët më të mirë të vendit në të gjitha sportet.
Trajnerë aty Enveri do të gjente të nderuarit dhe të respektuarit P. Çaslli dhe Sh. Kapexhiu. Stërvitja e mirë bëri që në vitet 1954–1956 ai të thyente rekordin kombëtar të të rriturve në stilin bretkosë, në distancat 100 dhe 200 metra. Ky rekord, në atë kohë, mbahej nga notari i Lokomotivës së Durrësit, G. Hajzedari.
Pas ushtrisë dhe deri në vitet 1963–1964, Enver Muriqi notoi me Vllazninë dhe për rreth 10 vjet mbajti titullin kampion dhe rekordmen kombëtar. Në ato vite, Vllaznia konkurronte me Lokomotivën e Durrësit, një nga ekipet më të mira, me emra të paharruar si I. Ibrahimi dhe E. Avdija, të cilët sot nuk jetojnë më.
Trajner ishte Shuajp Mehmeti, një njeri i palodhur. Për gati 6–7 vjet, Vllaznia me të rriturit doli kampione kombëtare. Enveri nuk ishte vetëm një notar i shkëlqyer, por edhe një vaterpolist i mirë, duke luajtur si portier me Vllazninë.
Pas lënies së sportit aktiv, në vitin 1974, Enver Muriqi filloi punën si trajner me të rinjtë e Vllaznisë. Edhe pse në fillim kishte vështirësi me bazën materiale, ai nuk u tërhoq kurrë, por punoi me pasion dhe këmbëngulje. Për tetë vite rresht, ekipi i drejtuar prej tij doli kampion kombëtar.
Nga viti 1974 deri në vitin 2014, ai punoi për një kohë të gjatë si trajner. Dyzet vjet nuk janë pak, janë një jetë e tërë. Ai nxori një grup notarësh të shkëlqyer, kampionë dhe rekordmenë të vendit, si: K. Kozmai, R. Shestani, A. Plisi, M. Muriqi, A. Muriqi, L. Muriqi, S. Murriqi etj.
Në vitin 1954 mori titullin “Mjeshtër Sporti”. Më vonë, në vitet 1992–1993, iu dha titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Në vitin 2010, nga Bashkia e Qytetit të Shkodrës, iu dha titulli “Legjenda e notit shkodran”.
Ndërkohë, shtatë vjet më parë, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Vllaznisë, ai u vlerësua si “Notar i shekullit” dhe u nderua me “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia. Në vitin 2021 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Enver Muriqi u nda nga jeta më 8 shkurt të vitit 2023.
/SHKODRA-SPORT.COM/


