✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për historinë e boksit shkodran, sigurisht që një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së tij do të ishte edhe Viktor Martini. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 82 vjetorit të lindjes së tij dhe ky është momenti për ta rikthyer atë sërish në vëmendjen e lexuesve tanë.

Viktor Martini ka lindur në Shkodër më 5 dhjetor 1943 dhe nga sportdashësit kujtohet si një prej boksierëve më të mirë të kohës së tij. E ka filluar sportin në vitin 1958 kur ishte vetëm 15 vjeç dhe menjëherë do të vinin sukseset e para teksa do të shpallej fillimisht kampion i Shqipërisë me të rinjtë.

Kalon me të rriturit dhe si pjestar i ekipit të Vllaznisë do të shpallej dy herë rresht kampion, pikërisht në vitet 1961 dhe 1962, por ëndrrat e tij për boksin do të ndërpriteshin një vit më pas sepse u vendos mbyllja e sportit të boksit në vendin tonë.

Me rihapjen e boksit në vitin 1991, do të angazhohej bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin, Fadil Efovijën, Tonin Demën, Kolec Ashikun, Kujtim Demin etj për ngritjen e ekipit të Vllaznisë dhe me punën e tij si trajner do të spikaste duke nxjerrë me duart e tij shumë boksierë kampionë.

Do të vazhdonte të ishte trajner i Vllaznisë deri në vitin 2004 (me shkëputje të herëpashershme) dhe nga rradhët e tij ka nxjerrë sportistë të cilët Viktori i ka evidentuar gjithmonë dhe mbi të gjithë dy emra kampionësh: Besnik Gjetajn dhe Sead Bushatin.

Ky është profili i këtij njeriu që ka qenë kampion dhe ka nxjerrë kampionë, i cili na dha lamtumirën më 27 shtator të vitit 2023, por duke lënë pas një emër shumë të mirë si sportist dhe si trajner.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”