Nga Gjergj KOLA

Në historinë e futbollit shkodran janë të shumtë futbollistët që kanë lënë gjurmë me aktivizimin e tyre dhe gazeta “Shkodra Sport” sot do të ndalet tek njëri prej tyre, ish- sulmuesi i Vllaznisë së viteve ’50, Ali Tepelija. Kjo sepse dita e sotme përkon me 94 vjetorin e lindjes së tij ky është momenti për ta rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e lexuesve tanë.

Ai ka lindur në Shkodër më 01.05.1930 dhe futbollin e ka nisur në moshë shumë të re. Në vitin 1940 stërvitjet e para I ka zhvilluar në fushën “Has Likej” dhe aktiviteti në shkollë mes klasave paralele drejtohej nga drejtori I shkollës së asaj kohe, Rustem Lopçi. Ali Tepelija ka qenë inisiatori I krijimit të skuadrës dhe shoqërisë “Ylli”.

Ka qenë vetëm 11 vjeç kur organizonte edhe blerjen e topave si dhe ndeshjet me ekipet e lagjeve të tjera si me ekipin e lagjes “Rus I madh” që drejtohej nga Riza Mani, me ekipin e lagjes “Zdralej”, “Kiras”, me ekipin e Qamil Metës, me skuadrën e jezuitëve apo dhe me skuadrën e fretërve ku luanin Simon Deda e Kol Gjoni.

Me ekipin “Ylli” që drejtohej prej tij, kanë luajtur dhe lojtarë që me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë në futbollin shkodran dhe atë shqiptar si Beqir Cungu, Ali Kullolli, Xhevdet Halili, Fejzi Kopliku, Muhamet Duraku (pedagog në Durrës), Xhavit Smaja (në Amerikë) etj. Ndër ekipet më të organizuara ishin ato të jezuitëve dhe të fretërve. Loja luhej 7 nga 7 ose 9 nga 9, në vartësi të fushës. Njohja me lojtarë si Loro Boriçi, Pal Mirashi, Bimo Fakja, Adem Smajli, Muhamet Dibra, Prek Gjeloshi, Dodë Tahiri etj, bëri që ndeshjet të ndiqeshin nga shumë tifozë, të cilët rrethonin vijat anësore të fushave, citon shkodrasport.com

Në vitin 1945 Ali Tepelija është aktivizuar me ekipin e ndërmarrjes së ofiçinës, me trajner të parë Muc Koxhjen e me këtë ekip kemi zënë shumë vende të para dhe nderi. Përveç tij në këtë ekip luanin edhe Muc Koxhja, Kol Gjoni, Mihajl Shkodra, Xhevdet Halili etj. Tepelija ka luajtur në krahun e majtë dhe dallohej për teknikën dhe fuqinë goditëse me këtë këmbë sepse kishte edhe një konstrukt të shkëlqyer fizik dhe ishte mjaft I shpejtë.

Për këto cilësi, në moshën 19 vjeçare është ofruar tek ekipi I parë I Vllaznisë, në fillim si rezervë e më pas si titullar në formacionin bazë. Ndeshjen e parë ai e ka zhvilluar kundër Koplikut. Me Vllazninë në atë kohë luanin edhe Huso Haxhija, Bimo Smajli, Kol Gjoni, Teofik Çoba, Nuh Vajushi etj.

Tepelija ka dhënë kontributin e tij jo vetëm në Shkodër por bashkë me disa shokë edhe në Gjirokastër. Madje me plot gojën mund të thuhet se shkodranët kanë një kontribut shumë të madh në përhapjen dhe zhvillimin e futbollit në këtë qytet. Tepelija ka qenë I mobilizuar ushtar në Divizionin e Gjirokastrës dhe me ekipin e tij, me numrin 11 në shpinë e ka përfaqësuar në shumë aktiviteteve, raporton shkodrasport.com

Duke luajtur për ekipin e Gjirokastrës kundër Delvinës, Sarandës e Përmetit, u bë e mundur që në vitet 1950 dhe 1951, ta fusin këtë ekip në kategorinë e parë dhe Tepelija ka qenë shënuesi më I mirë I ekipit. Loja e këtyre futbollistëve bëri për vetë shumë tifozë e dashamirës të sportit në këtë qytet. Të gjithë kujtojnë Subi Bakirin, një përkrahës I lojës dhe zhvillimit të futbollit në këtë qytet. Përveç tij, kanë dhënë kontributin e tyre edhe futbollistët e tjerë shkodranë si Buto Smaja, Qemal Spahija, Ali Kullolli, Shaban Abdija, Fadil Halluni. Ata bashkë me Leonidha Llambron, Hasan Karagjozin, Spiro Papein, Pavllo Maksakulin, Besnik Dacin, Kristo Karanxhën, Omer Hashorvën, Anastas Bozhorin, Gole Shehin dhe trajner Anastas Bozhorin, lanë gjurmë në futbollin gjirokastrit.

Ali Tepelija pas Gjirokastrës do të kalonte tek Partizani duke luajtur ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” kundër Besës, ku shënon edhe golin e fitores. Ka qenë viti 1951. Meritë për aktivizimin e tij me këtë skuadër natyrisht që kishte Loro Boriçi që ishte për të jo vetëm trajner por edhe një bashkëlojtar I mrekullueshëm, e krahas tij luajti edhe me Simon Dedën, Muharrem Karanxhën, Refik Resmjen, Rexhep Spahiun, Sul Maliqatin etj.

Në vitin 1951 Tepelija është thirrur edhe në ekipin kombëtar të të rinjve nga trajneri sovjetik Boris Aphutin por për arsye dëmtimi, nuk u aktivizua. Megjithë kërkesën e ekipit të Partizanit për të qëndruar sërish me atë ekip, madje edhe me rrogë, Alija do të refuzonte dhe kthehet në Shkodër për të luajtur me Vllazninë e tij. Ndeshja e parë që ka luajtur ka qenë ajo ndaj Lezhës, pikërisht në vitin 1952.

Një ndeshje që ai e mbajti mend gjatë dhe për përkrahjen e tifozëve si Ali Bajri, Isa Dibra, Sabri Miloti, Anton Marini etj. Ndeshje tjetër që ka mbetur gjatë në mendjen e Tepelijës, ka qenë ajo ndaj Partizanit në Shkodër, të cilën Vllaznia e fitoi 4-1. Formacioni I Vllaznisë në atë ndeshje ka qenë: Met Metani, Kol Gjoni, Buto Smaja, Prek Gjeloshi, Muhamet Dibra, Eshref Dani, Xhelal Juka, Ali Kullolli, Zija Cungu, Qamil Medja dhe Ali Tepelija, shkruan shkodrasport.com

Në vitin 1953, Tepelija do të thirrej në ekipin kombëtar ku trajner ishte hungarezi Vadash Miklosh e zëvendëstrajner Muc Koxhja dhe në ndeshjen e 29 nëntorit ndaj Polonisë, që Shqipëria e fitoi 2-0, ai ka qenë rezervë.

Duke u aktivizuar me Vllazninë Ali Tepelija ka arritur këto rezultate:

1952 Vendi I tretë

1953 Vendi I katërt

1954 Vendi I katërt

1955 Vendi I tretë

Ai do ta linte futbollin në vitin 1955 për arsye shëndetësore kur në fakt kishte shumë për t’I dhënë Vllaznisë megjithatë ky ishte fati I tij. Por përveç tij, me futbollin është marrë edhe I biri- Altin Tepelija I cili arriti të luante edhe me ekipin e parë të Vllaznisë por më pas e ndërpreu karrierën ngaqë shkoi në Gjermani.

Ali Tepelija është ndarë nga jeta më 21 mars 2010 në moshën 80 vjeçare, duke lënë pas shumë kujtime të bukura për karrierën e tij sportive./www.shkodrasport.com/