Një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran padyshim që ka qenë Bardh Jera. Një sportist i cili ka luajtur në shumë pozicione në fushë, ka dhënë kontributin e tij në fitoren e disa trofeve të Vllaznisë në vitet ’80 dhe po ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. Një sportist që ka arritur në këto nivele të larta falë punës së madhe të bërë çdo ditë në stërvitje.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse feston ditelindjen. Ai mbusht 63 vjeç dhe me kete rast, ne emer te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj i urojme edhe 100 vite te tjera te lumtura!


Kush është Fatbardh Jera?

Ka lindur në Shkodër më 8 shkurt 1960. Si më i vogli i familjes Jera, Bardhi ka zgjedhur të bëhet futbollist. Krejt ndryshe nga familja e tij sepse askush nuk kishte asnjë lidhje me sportin madje i ati ishte tregtar. Pas futbollit të lagjes në një moshë të vogël, rregjistrohet tek i pari ekip, ai që drejtohej nga një mjeshtër si Selami Dani. Ka ndodhur kur Bardhi ishte në klasën e katërt të fillores.

Ky ka qenë momenti i parë i marëdhënies se tij me një trajner. Pas dy vitesh me këtë ekip, profesor Selamia shkoi në shkollën “Xheladin Fishta” që kishte profil futbollin dhe e tërhoqi me vete. Kjo tregon se ai kishte parë diçka tek ky djalosh.

Më pas, ka kaluar tek ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe kështu vazhdoi karriera e tij, ku ka punuar me trajnerë të tillë si Xhelal Juka e Esat Rakiqi. Në verën e vitit 1979 kalon nga të rinjtë tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe iu bashkua atij në stërvitje në pikën turistike të Razmës.

Në fund të janarit te vitit 1979, Vllaznia do të luante në Gjirokastër për kupë dhe Jera do te luante si titullar, duke rregjistruar kesisoj edhe debutimin me ekipin e pare te kuqebluve.

Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të suksesshme dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për më tepër që ka patur edhe një tjetër ogur të mirë. Ai ka marrë fanellën e të madhit Sabah Bizi kur ai ka lënë futbollin.

Karriera

Me Vllazninë ka luajtur nga viti 1979 deri në 1990, pra për 11 sezone me rradhë. Ka shënuar edhe gola madje. Kështu në kampionatin 1980-81 ka shënuar dy gola, 1 një kampionat më pas, po 1 edhe në kampionatin 1982-83. Ndërkohë në kampionatin e sezonit 1983-84 ka shënuar 3 gola, 2 një sezon më pas, ndërsa në 1985-86 për herë të parë nuk shënon asnjë gol në kampionat ndonëse luan në 22 ndeshje.

Kështu ndodh edhe në kampionatin 1986-87 luan në 26 ndeshje dhe nuk shënon asnjë gol. Por kjo i shërben për “nxemje” sepse në kampionatin e sezonit 1987-88 do të shënonte numrin më të madh të golave, plot 6. Një vit më vonë shënon vetëm një gol dhe po aq edhe në 1989-90. Në total 17 gola në kampionate.

Ky do të ishte sezoni i fundit në Shqipëri sepse më pas do të largohej për në Austri ku ka jetuar për disa vite. Do të rikthehej në Shqipëri në janar të vitit 1995 ku luan vetëm në një ndeshje për pak minuta, duke mbyllur kështu zyrtarisht karrierën e tij si futbollist. Do të aktivizohej në ndeshjen Vllaznia- Ilira (1-0) më 4 shkurt 1995 dhe kjo është data e fundit të karrierës së tij.

Një karrierë shumë e suksesshme teksa ka arritur të fitojë titullin kampion në sezonin 1982-83, ka fituar Kupën e Republikës tre herë, përkatësisht në sezonet 1978-79, 1980-81 dhe 1986-87. Per te gjitha keto arritje eshte zgjedhur pjese e “11-shes me te mire te Vllaznise ne 90 vite”, per periudhen 1919-2009.

Pozicioni në fushë

Ka luajtur në shumë pozicione, duke filluar nga ai i qendërmbrojtësit, i mesfushorit të qendrës apo dhe në dy krahët e mesfushës por edhe si sulmues i majtë në momente të caktuara. Të tilla vendosje i shërbyen edhe për ekipin kombëtar më pas, me të cilin ka luajtur edhe si mbrojtës i majtë, stoper, apo dhe mesfushor në të dy krahët.

Kombëtarja

Ka luajtur në vitet 1982-84 me kombëtaren Shpresa duke dalë edhe në tetëshen e Europës, në atë periudhë kur ky ekip drejtohej nga i mirënjohuri Ramazan Rragami. Po ai grup lojtarësh, me Demollarin, Josën, Hodjen, Vilën, Zmijanin, Ocellin, Topçiun etj dhe i gjithë ky grup i mrekullueshëm kaloi tek kombëtarja e madhe dhe Jera do të ishte pjesë e saj pas vitit 1984 e në vijim. Do mbahet mend për duelin me sulmuesin e shquar spanjoll Butraguenjo, me Bonjek të Polonisë etj.

Pas lënies së futbollit, ka nisur biznesin duke qenë shumë i suksessshëm por pa u larguar për asnjë moment nga futbolli. Prej disa vitesh është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit duke dhënë edhe aty kontributin e tij në zhvillimin e futbollit shqiptar.

Bardh Jera perveç titujve sportive qe ka marre, mban edhe titullin e larte “Mjeshter i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikes me rastin e festimeve te 100 vjetorit te Klubit Vllaznia.
Gjergj KOLA