Në historinë e futbollit shkodran një tjetër emër që ka lënë gjurmë është edhe ai i Nikoll Gjergjit. Ish- sulmuesi i njohur i Vllaznisë së viteve ’60, sot ka përvjetorin e 82-të të lindjes dhe për këtë arsye, është momenti më i mirë për ta kujtuar dhe rikthyer në vëmendjen e të gjithëve

Nikolla ka lindur më 5 prill të vitit 1941. E kam nisur futbollin në vitin 1956 kur iu bashkua ekipit të të rinjve të Vllaznisë (atëherë nuk kishte paratërinj) që drejtohej nga trajnerët e njohur Muhamet Dibra dhe Xhelal Juka. Për të vazhduar më pas me trajnerin Rifat Rusi Ka qenë ky person i cili në kampionatet në mes shkollave, e zbuloi kur ai përfaqësoja shkollën 8 vjeçare “Jordan Misja” dhe i sugjeroi të fillonte tek Vllaznia.

Por në rininë e tij, protagonisti i këtij shkrimi nuk është marrë vetëm me futboll, pasi ka luajtur edhe volejboll e po ashtu është marrë edhe me atletikë. Këto deri në moshën e të rinjve sepse më pas iu përkushtua tërësisht futbollist.

Me volejbollin Nikoll Gjergji, ka arritur të shpallet edhe kampion i Shqipërisë me të rinjtë në vitin 1958 në Tiranë. Ekipi në atë periudhë drejtohej nga trajneri i madh Tonin Bianku dhe në përbërje të tij ishin kapiteni Xhelal Haxhi, Viktor Jubani, Ndok Pistulli, Nikolin Peja, Frederik Çapaliku, një tjetër futbollist i njohur ky që është marrë edhe me volejboll, Nikoll Gjergji, Bashkim Rraboshta, Franko Karajfili, Eduard Perjaku e Abdullah Hebovija.

Po në atë periudhë në Shkodër u zhvillua kampionati kombëtar i atletikës për të rinj dhe Nikolla në garën e 110 metrave me pengesë arriti të zërë vendin e parë dhe të shpallet kampion duke lënë pas një emër të njohur të këtij sporti- Gjon Camaj. Ekipi i atletikës së Vllaznisë në atë periudhë drejtohej nga trajnerët e mirënjohur Brahim dhe Feti Dizdari.

Por ai do të vazhdonte me futbollin dhe pasi mbush moshën, e thërrasin ushtar dhe e dërguan në Gjirokastër për kryerjen e tij, kjo në vitet 1959- 1960. Atje duke luajtur me Luftëtarin në kategorinë e dytë, u paraqit shumë mirë dhe në përfundim të shërbimit ushtarak, kishte dy mundësi: të shkonte tek Partizani ose tek Vllaznia.

E ngacmoi ideja për t’u kthyer në Shkodër dhe për më tepër kështu ndodhi ngaqë drejtuesit e saj kishin nevojë për lojtarë në ato vite. Në vitin 1961 filloi të luante me Vllazninë ku ishte krijuar një ekip shumë simpatik me Jonuz Telin, Zija Danin, Frederik Çapalikun, Sadetin Zmijanin, Hasan Hasën, Kolë Gjonin, Ramazan Rragamin, Shuajp Prezën, Bep Çefën, Osman Djepaxhinë, Selami Danin, Haki Krajën, Zija Hallunin etj. Trajnerë të ekipit në ato vite kanë qenë Muhamet Dibra, Xhelal Juka dhe Rifat Rusi.

Nikolla do të vazhdonte të luante edhe më tej me Vllazninë, edhe kur trajner do të vinte Skënder Jareci. Një trajner me vizion të rrallë për futbollin, me njohuri të rralla dhe falë punës së tij Vllaznia kaloi nga futbolli amator në futboll profesionist. Largoi nga skuadra disa futbollistë të vjetër në moshë si Haki Krajën, Oso Djepaxhinë, Shuajp Prezën, Hasan Hasën, Zija Hallunin etj, duke u dhënë hapësira më të rinjve. Dhe pati menjëherë sukses.

Fituan Kupën e Republikës pas shumë e shumë vitesh dhe skuadra ishte vërtetë model. Duke nisur nga porta me Paulin Ndojën, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, një kapiten i vërtetë në fushë, për të vazhduar me Kol Gjonin dhe Menduh Dedjen. Në mesfushë për njëfarë periudhe ishte edhe Ali Mema e bashkë me Ramazan Rragamin dhe Sabah Bizin, përbënin mesfushën e kombëtares. Pjesë e skuadrës ishin edhe Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Lekë Koçobashi, Bep Çefa, Rauf Çanga, Selman Cukali, Hajrullah Lekaj etj.

Në sulm ndërkohë ishin tre sulmues shumë të shpejtë dhe rezultativë si Selami Dani, Nikoll Gjergji dhe Halil Puka. Nikolla ka luajtur gjithmonë në krahun e djathtë. Veçoria kryesore e tij ka qenë shpejtësia.

Por karriera e protagonistit të këtij shkrimi nuk do të zgjaste shumë. Në ndeshjen e Kupës Ballkanike me ekipin rumun Farul Konstanca e luajtur në vitin 1968 dhe që u humb nga ana jonë me rezultatin 2-0, Nikolla u dëmtova rëndë. Në një përpjekje për të kapur topin në thellësi, portieri rumun bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj tij dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nga prapa erdhi edhe një mbrojtës duke më shtyrë edhe më keq dhe këmba e sulmuesit shkodran u thye keqazi. Qëndroi një vit larg futbollit. Ishte 27 nëpër 28 vjeç. Mendi ta niste edhe njëherë sportin por vendosi të heqë dorë.

Por Nikoll Gjergji nuk do hiqte dorë nga futbolli. Në vitin 1970 nisi në Tiranë kursin 6 mujor për trajner futbolli. Ka qenë Bahri Axhemi, drejtuesi i sportit në atë kohë në Shkodër që e thirri dhe i dha shtysën për ta nisur këtë kurs. Një kurs ku ka mësuar shumë gjëra nga emrat e mëdhenj të trajnimit shqiptar si Loro Boriçi, Zyber Konçi, Skënder Dedja etj.

Pas mbarimit të këtij kursi, në vitet 1971-72 ka drejtuar Shpresat e Vllaznisë dhe më pas në vitet 1973-75 ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Pas kësaj periudhe është shkëputur nga trajnimi për njëfarë periudhe sepse mbaroi studimet për fiskulturë.

Megjithatë nuk ka hequr dorë nga trajnimi sepse ka punuar për vite të tëra me moshat duket drejtuar ekipin e “Djelmënisë shkodrane”, me të cilin ka punuar deri në vitin 2014. Madje në një periudhë të shkurtër ka drejtuar edhe ekipin e femrave të “Juban Danjes”.

Nikoll Gjergji u nda nga jeta më 28 tetor të vitit 2021, por ka lënë pas një emër shumë të mirë si futbollist, trajner, por edhe një njeri i shkëlqyer.
Gjergj KOLA