Wednesday, March 25, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- mbrojtësit të shquar të Vllaznisë Isak Pashaj

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- mbrojtësit të shquar të Vllaznisë Isak Pashaj

Shkruar nga Gjergj KOLA

Dita e sotme është e veçantë për ish-futbollistin e njohur të Vllaznisë së viteve ’80, mbrojtësin e majtë të saj, Isak Pashajn. Ai feston 62-vjetorin e lindjes dhe, kuptohet, ky është një moment që edhe “Shkodra Sport” e shfrytëzon për t’i uruar edhe 100 vite të tjera të lumtura.

I datëlindjes 25.03.1964, ai u dashurua shpejt me këtë lojë dhe, në sezonin 1982, do të realizonte ëndrrën e tij të madhe për të kaluar te ekipi i parë i Vllaznisë. Ai do ta bënte debutimin e tij me fanellën kuqeblu pikërisht në ndeshjen Partizani–Vllaznia 2-1, të luajtur më 18 shtator 1983 në “Qemal Stafa”.

Që prej atij momenti dhe deri në nëntor të vitit 1992, kur bashkë me shumë shokë të ekipit u larguan nga Shqipëria, Pashaj do të kthehej në një protagonist të asaj skuadre të madhe të Vllaznisë së viteve ’80.

Më pas ishte titullar edhe në ekipin Kombëtar Shpresa, përkrah shkodranëve të tjerë si Hysen Zmijani, Fasli Fakja, Viktor Briza etj. Ai vazhdoi të luajë me sukses edhe në radhët e Vllaznisë, me të cilën fitoi Kupën e Republikës në vitin 1987. Madje, në finalen e parë të luajtur në “Vojo Kushi”, ai ka shënuar njërin nga tre golat e kuqebluve.

Po ashtu, në ndeshjen e Kupës së Kupave Sliema Wanderers–Vllaznia, të luajtur në shtator të atij viti, ka shënuar njërin nga katër golat e fitores 0-4 të kuqebluve, atë të parin, duke hedhur hapin drejt kualifikimit për në turin e dytë të këtij kompeticioni.

Karriera e tij do të vazhdonte e suksesshme deri në sezonin 1991–92, kur Vllaznia do të shpallej kampione e vendit, por Pashaj nuk do të luante deri në fund të tij, sepse u largua jashtë vendit. Megjithatë, emri i tij është i shkruar në “librin e artë” si kampion.

Sa i takon ekipeve kombëtare, Pashaj ka nisur të grumbullohet që në moshën 16-vjeçare me kombëtaren e të rinjve dhe, një vit më pas, debuton me të në Ballkaniadën që u zhvillua në Turqi. Më pas vazhdoi me ndeshjet në eliminatoret e Kampionatit Europian, të zhvilluara në vitin 1982 kundër Qipros, ku Shqipëria U18 u kualifikua për në fazën e grupeve, ndeshjet e së cilës u zhvilluan në Helsinki, dhe Isaku në të gjitha ato ka qenë titullar.

Ndërkohë, në vitet 1983–85 ka qenë lojtar titullar me ekipin Kombëtar Shpresa. Më pas luan dy ndeshje me ekipin olimpik kundër Francës, ku trajneri i kombëtares franceze, në prononcimin e tij pas ndeshjeve, ndër të tjera do të veçonte një emër nga ekipi shqiptar, atë të Pashajt.

Sakaq, në vitet 1986, 1987 dhe 1988, mbrojtësi i majtë do të ishte lojtar i përhershëm i ekipit kombëtar të të rriturve. Madje, në vitin 1987, atëherë kur ishte në kulmin e formës së tij, nga mbledhja e trajnerëve të FSHF-së caktohet të jetë mbrojtës i majtë i ekipit tonë përfaqësues.

Kombëtarja shqiptare do të shkonte në atë periudhë në Rumani dhe, kur pritej që Pashaj të luante si titullar, një ditë para ndeshjes e thërret trajneri Shyqyri Rreli dhe i thotë se jo vetëm nuk do të luante, por nuk do të ishte as rezervë. Arsyeja që i jep Pashajt ishte se “i kishte rënë në vesh se ai kishte sharë sistemin”.

Ndeshja e dytë, ndërkohë, do të zhvillohej pas disa kohësh në Berat ndaj Kubës, ku këtë herë trajneri Rreli e la rezervë, por vetëm kaq. Isaku tashmë kishte “biografi të keqe” dhe, për rrjedhojë, nuk do të bënte karrierë me kombëtaren. Madje, vetë Medin Zhega i thoshte në atë periudhë se “dy shalqinj nuk mund të mbahen në një dorë”, pra edhe “biografinë e keqe” edhe karrierën me kombëtaren.

Megjithatë, ka luajtur gjithsej 11 takime ndërkombëtare, ndërsa me ekipet kombëtare zinxhir ka zhvilluar 25 ndeshje. Ka luajtur në 10 kampionate me Vllazninë, nga të cilat në 8 prej tyre si titullar i padiskutueshëm.

Kjo është karriera e Isak Pashajt, mbrojtësit të majtë të Vllaznisë së viteve ’80, i cili sot feston ditëlindjen e tij dhe mbase është momenti ta lëmë të festojë i lumtur me familjarët e tij./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments