Wednesday, March 11, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- shahistes kampione të Vllaznisë Arta Alushi

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- shahistes kampione të Vllaznisë Arta Alushi

Shkruar nga Gjergj KOLA

Kur flasim për shahun e femrave në Shkodër, padyshim që mendja të shkon menjëherë në vitet ’80, atëherë kur ekipi i Vllaznisë “bënte namin”, duke fituar gjithçka. Nën drejtimin e trajnerit Muhamet Gradeci, një grup i talentuar vajzash fituan shumë trofe.

Dhe njëra prej tyre që dha një kontribut shumë të madh në këto arritje padyshim që ishte edhe Arta Alushi (Driza). Një personazh që pikërisht sot ka ditëlindjen: feston 58-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Arta Alushi ka lindur në Bërdicë të Shkodrës më 11 mars 1968 dhe në rininë e saj përqafoi sportin e bukur të shahut, duke u bërë më pas një nga emrat më të shquar të tij për vite me radhë.

Së bashku me Ylvije Boriçin, motrat Vuji dhe Valbona Millen, ajo e shpalli kampione Vllazninë në vitet 1983, 1986 dhe 1990, ndërkohë që në vitin 1988 u shpall kampione me ekipin e Partizanit. Po ashtu kontribuoi edhe në fitimin e medaljeve të arta në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1984.

Ndërkohë, në aspektin individual, pas disa vendeve të dyta në kampionat, ajo arriti të shpallet kampione e Shqipërisë në vitin 2002. Ka marrë pjesë në Olimpiadat Botërore në vitet 1990, 1994, 2002, 2004, 2006, 2008 dhe 2012.

Pas lënies së sportit, ka mbajtur edhe detyrën e trajneres së ekipit kombëtar dhe më vonë edhe atë të gjyqtares ndërkombëtare të FIDE-s. Mbetet një emër i shquar i këtij sporti./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments