Shkruar nga Gjergj KOLA
Sporti i mundjes në Shkodër ka qenë ndër më të suksesshmit për vite me radhë dhe ka nxjerrë shumë kampionë të mëdhenj, të cilët kanë nderuar emrin e këtij qyteti dhe të klubit Vllaznia. Njëri prej tyre është edhe ish-kampioni Selaudin Rexha.
Ky personazh i njohur i mundjes shkodrane ka sot ditëlindjen. Feston 63-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Selaudin Rexha ka lindur në Shkodër më 8 shtator 1963 dhe që në moshë të vogël zgjodhi të merrej me mundje. Në fakt, nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi në familje kishte vëllain e tij, Tasimin, i cili ishte më i madh në moshë dhe në ato vite shkëlqente me ekipin e Vllaznisë.
Por, ndryshe nga vëllai, Selaudini, ose siç e kanë thirrur të gjithë “Gaga”, konkurronte në peshat e lehta. Ai spikati menjëherë dhe shumë shpejt u bë një prej mundësve më të mirë të vendit në kategorinë e tij. Megjithatë, do të duhej të kalonin disa vite për të mbërritur te titulli i parë kampion.
Selaudin Rexha do të shpallej për herë të parë kampion i Shqipërisë në vitin 1990, titull të cilin do ta përsëriste edhe një vit më vonë. Në këtë mënyrë, ai do të pasuronte serinë e trofeve personale, të cilët do të pasoheshin edhe nga suksese të tjera në garat e Kupës së Republikës dhe në aktivitete të ndryshme kombëtare, ku ai konkurronte me shumë sukses duke përfaqësuar Vllazninë.
Për këto suksese dhe kontributin e tij në sportin e mundjes, ai është nderuar me “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të SK Vllaznia, duke u vlerësuar njëkohësisht si një prej mundësve të shekullit të këtij klubi.
Nga ana tjetër, më 13 korrik 2022, Selaudin Rexha u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për kontributin e madh të dhënë për vite me radhë në sportin e mundjes.
Një karrierë e ndërtuar me punë, pasion dhe shumë sakrifica, që e vendos Selaudin “Gaga” Rexhën mes emrave që kanë lënë gjurmë në historinë e mundjes shkodrane dhe të Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


