Saturday, March 28, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e kapitenit të fundit të Vllaznisë kampione të basketbollit,...

ALMANAK/ Sot ditëlindja e kapitenit të fundit të Vllaznisë kampione të basketbollit, Ervin Berdica

Shkruar nga Gjergj KOLA

Basketbolli shkodran po mundohet të rimarrë veten pas disa momenteve të vështira që kaloi. Kuptohet që për t’u rikthyer në periudhën e artë të tij duhet shumë punë dhe investim, dhe duket se edhe për disa kohë na duhet të ndalemi te nostalgjia e disa viteve të mëparshme.

Sot do të ndalemi te brezi i fundit i kampionëve, ai i pak viteve më parë, kur fituan 3 tituj kampionë radhazi dhe 2 Kupa të Shqipërisë. Kapiteni i këtyre sukseseve, njeriu që ngrinte i pari lart trofeun, ishte Ervin Berdica.

Po ndalemi sot te ky personazh sepse kjo është një ditë e veçantë për të. Ai ka ditëlindjen, feston 41-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ervin Berdica ka lindur në Shkodër më 28 mars 1985 dhe zgjodhi të merret me basketboll që në moshë të vogël. Shpejt spikati për talentin e tij. Ai dha një kontribut të madh për basketbollin shkodran dhe kulmi i karrierës së tij janë vitet 2013–2015, kur ky ekip fitoi 3 tituj kampionë dhe 2 Kupa të Shqipërisë.

Protagonisti i këtij shkrimi ishte ndër më të lumturit, sepse në rolin e kapitenit të skuadrës, ngrinte i pari lart trofeun. Në vitin 2018, për një periudhë të shkurtër, u largua nga Vllaznia për të luajtur me “Invaders”, por u rikthye sërish në Shkodër, ku edhe e mbylli karrierën e tij si basketbollist.

Më pas, për një kohë të shkurtër, mbajti rolin e zëvendëstrajnerit te Vllaznia, duke punuar përkrah bullgarit Nikolay Gospodinov. Më vonë u emërua trajner i parë, por jo për shumë kohë. Ndërkohë, aktualisht vazhdon të punojë si trajner i moshave në Shkodër, sepse në fund të fundit basketbolli është jeta e tij dhe nuk mund të largohet lehtë prej tij.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments