Kualifikimi i Vllaznisë në turin e dytë me përmbysje spektakolare ndaj Shiroki Brijeg ka pasur si një nga protagonistët kryesorë edhe Eni Imamin. Mbrojtësi spikati jo vetëm duke mbyllur çdo korridor për sulmuesit boshnjakë, por edhe me golin e 2-0 që hapi plotësisht kualifikimin për ekipin kuqeblu.

Kualifikimi u ka dhënë krahë shkodranëve dhe siç ka treguar vetë Imami për mediat qipriote, tashmë ata do të synojnë të bëjnë realitet një tjetër mrekulli, ndonëse janë të ndërgjegjshëm se AEL Limasol me të cilin përballen, do të jetë favorit. Duke folur për “kerkida.net”, ai ka shpjeguar ndjesitë e tij para kësaj sfide, duke i paralajmëruar qipriotët se ekipi do të hyjë në fushë pa u frikësuar nga emrat që ka përballë, por edhe duke i kritikuar për vendimin që të luajnë ndeshjen e parë në orët e pasdites.

“Është e vërtetë që ne arritëm një kualifikim të madh, një përmbysje të madhe. Por tani i përket të kaluarës, tani do të kemi përballë AEL. Do të jetë shumë e vështirë. Do të mundohemi, do të luajmë 11 kundër 11. Do të japim gjithçka për t’u kualifikuar.

AEL është një skuadër shumë e mirë, shumë e fortë. Jam informuar për të nga Isli Hidi. Ai më ka treguar disa gjëra rreth ekipit dhe më tha që është një skuadër mjaft e mirë.

Sigurisht AEL është favorite. Ajo është një skuadër e vështirë dhe e respektojmë. Por do të luajmë pa frikë. Mund të kalojmë në turin tjetër. Do të përballemi me AEL pa u frikësuar.

Orari? Është diçka e çmendur të luash në orën 16:30. Do të jetë tmerrësisht e vështirë për lojtarët që të luajnë në një temperaturë kaq të lartë. Ata nuk mund të japin më të mirën, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, ishte kritika e Imamit në intervistën e tij.