Shkruar nga Gjergj KOLA
Historia e volejbollit në Shkodër ka patur në gjirin e tij shumë personazhe që kanë lënë gjurmë me kontributin e tyre. Sot do të ndalemi jo tek një sportist, por tek trajneri më jetëgjatë, ai që ka rreth 4 dekada që i shërben Vllaznisë, pikërisht trajneri aktual, Artan Kalaja. Do të ndalemi sot tek ky personazh sepse sot ai ka ditëlindjen. Feston 61 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Artan Kalaja lindi në Shkodër më 21 janar 1965 dhe do të lidhej me volejbollin në klasin e 6-të kur në Shkollën “Ali Laçej” ku ai mësonte. Do të ishte Gjergj Laska ai që ia futi dëshirën për t’u marë me këtë sport, ndonëse në fillim pa shumë dëshirë por duke parë pasionin dhe përkushtimin e këtij trajneri, duke parë që gjithë shokët e lagjes i kishte me atë ekip, edhe ai vendosi ta ushtronte volejbollin.
Do të luante me ekipin e të rinjve të Vllaznisë dhe më pas vijon studimet e larta në Tiranë duke u bërë pjesë e ekipit të Studentit, vitin e parë me të rinjtë ku ishte edhe trajner i ekipit dhe dy vitet e tjera pjesë e ekipit të të rriturve, shkruan shkodrasport.com
Ka përfunduar studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë në vitin 1986 dhe rikthehet në Shkodër dhe ka dëshirë ta vazhdojë volejbollin me Vllazninë, por gjen një ekip të mbipopulluar me lojtarë cilësorë dhe në këto rrethana dikush në klub i propozon të bëhet trajner i ekipit të të rinjve që ndodheshin në kategorinë e dytë.
E mori drejtimin e tij dhe menjëherë e nxorri atë në përfundim të sezonit 1986-87 në kategorinë e parë. Më pas shkon për studime pasuniversitare dhe rikthehet në dhjetor të vitit 1988 kur e gjen ish- ekipin e tij me 11 humbje në 11 ndeshje të luajtura. Situata ndryshoi në fazën e dytë, ndërsa në sezonin 1989-90 fitojnë kampionatin e të rinjve dhe një Spartakiadë të rinjsh të zhvilluar në Durrës.
Do të vazhdonte të ishte trajner i të rinjve deri në vitin 1994, vit kur më pas i besohet drejtimi i ekipit të të rriturve të Vllaznisë që ndodhej në kategorinë e dytë. Brenda një viti e rikthen në kategorinë e parë ku do të luante edhe një sezon tjetër, por në vitin 1996 Kalaja do ta linte ekipin sepse do të emigronte jashtë vendit. Pas ikjes së tij, u shkri edhe ekipi i Vllaznisë, sepse kuptohet erdhën edhe disa kohë të vështira.
Do të rikthehej nga emigrimi në vitin 1997, por volejbolli në Shkodër ishte shkrirë dhe profesor Artan vijon vetëm punën e tij si mësues i edukimit fizik. Derisa në vitin 2002 vendos papritur të ngrejë sërish ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Dhe deri në 2008 ky ekip do të zhvillonte 113 ndeshje pa humbur asnjë.
Krijohet ekipi i të rriturve i drejtuar po nga Artan Kalaja i cili që prej vitit 2008 dhe deri më sot (me ndonjë shkëputje të vogël) vazhdon ta drejtojë ekipin e Vllaznisë duke arritur të jetë gjithmonë konkurrues dhe një prej më të mirëve të vendit. Pikërisht për gjithë këtë kontribut, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, Artan Kalaja është zgjedhur “trajner i shekullit”. Ky është profili i këtij personazhi i cili ka rreth 40 vjet që është i angazhuar me sportin e tij të preferuar, volejbollin.
Burimi: Gazeta “Shkodrra Sport”


