✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për sportin e boksit në Shkodër dhe jo vetëm, një nga emrat e respektuar dhe që meriton gjithmonë respekt është edhe Ramiz Halili. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse dita e sotme përkon me 9 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Ramiz Halili ka lindur në Shkodër më 30 shtator të vitit 1941 në Shkodër. Nis të merret me sportin e boksit në moshë të re dhe menjëherë do të spikaste për talentin e tij. Ai dallohej për teknikën e lartë, për goditjet e tij të forta me të majtën sepse ishte mëngjerash dhe kjo e bënte atë të veçantë në llojin e tij.
Në finalet e Spartakiadës së Parë Kombëtare në vitin 1959 ka zënë vendin e parë në peshën e tij duke merituar medaljen e artë, ndonëse ishte vetëm 18 vjeç. Megjithatë triumfoi klasi dhe përgatitja e tij. Ballafaqimet e mëpasme me boksierë të tillë si Niko Mile etj, kanë dhuruar gjithmonë emocione megjithatë për fatin e keq, ky sport u ndëpre në vitin 1963, atëherë kur ishte momenti që Ramiz Halili të shpërthente në ring. Megjithatë, pasioni për këtë sport, mbeti gjallë tek ai.
Menjëherë pas vitit 1990, me të ardhur demokracia në vendin tonë, bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Viktor Martinin etj, do të nisnin punën menjëherë për ringritjen e këtij sporti në Shkodë. Dhe e bënë në mënyrën më të mirë të mundshme teksa edhe Ramizi për disa vite me rradhë dha kontributin e tij.
Ish- kampioni u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare, si sot para 9 vitesh, pra më 13 nëntor 2016, duke lënë pas një emer shumë të mirë, jo vetëm si boksier dhe trajner, por edhe si një njeri i shkëlqyer.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







