E ka nisur me fitore përvojën e tij në krye të ekipit të basketbollit të femrave të Vllaznisë trajneri Bledar Gjeçaj. Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” është luajtur ndeshja e kampionatit Vllaznia- Studenti.

Në fund ka fituar ekipi shkodran me rezultatin 56-53. Loja ka qenë e barabartë dhe e shoqëruar me rivalitet. Perioda e parë është mbyllur me shifrat 15-13 ndërkohë që e dyta është mbyllur 17-17 duke bërë që dy ekipet të shkojnë në pushim me dy pikë epërsi në favor të vendaseve.

Perioda e tretë do të fitohej nga Studenti 9-8, çka bëri që diferenca të ngushtohej në vetëm një pikë dhe kjo e bëri shumë interesant 10 minutëshin e fundit të ndeshjes.

Ai do të fitohej 16-14 nga Vllaznia që kësisoj e mbyll gjithë takimin në favorin e saj.

Një nisje e mbarë e vajzave kuqeblu që pritet nga ndeshja në ndeshje të rrisin nivelin e tyre dhe të sigurojnë edhe të tjera rezultate pozitive.
© shkodrasport.com