Alsid Tafili, futbollist i Tërbunit dhe tashmë një menaxher mjaft i suksesshëm ka komentuar së fundmi për Vllazninë dhe ndalesën e tyre në Rrogozhinë. Sipas mesfushorit, kuqeblutë duhet të tregojnë diçka më tepër në transferta, por i shikon të sigurtë në garën për titullin kampion, ku si rival të shkodranëve sheh vetëm Tiranën.

Gjithashtu Tafili u ndal edhe tek humbja e fundit e Tërbunit kundër Tomorit dhe padrejtësitë që i janë bërë pukjanëve në këtë periudhë.

Tafili tha: “Ndeshja kundër Egnatias për Vllazninë ishte nën nivelin e duhur. Të dy ekipet nuk është se zhvilluan ndonjë lojë për tu mahnitur dhe besoj se në fund morën atë që merituan. Nuk duhet të harrojmë se edhe Egnatia është një skuadër që ka bërë shumë investime dhe ka shumë ambicie këtë sezon dhe kundër tyre nuk është edhe aq e lehtë.

Por Vllaznia duhet të tregojë diçka më tepër në transferta sepse me të vërtetë kanë qenë një pikë e dobët këtë sezon. Megjithatë kuqeblutë i shoh në garë për titullin kampion totalisht deri në fundin e sezonit. I shoh në duel vetëm me Tiranën, pasi Partizani nuk është një ekip që më bind aq shumë. Besoj se gjithçka do ndahet në fund mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Tërbuni ? Besoj të gjithë i kanë parë pamjet e ndeshjes së fundit kundër Tomorit. Na u dhanë kundër dy penallti inekzistente. Kundër nesh janë bërë padrejtësi në javët e fundit. Uroj që gjëra të tilla të mos ripërsëriten në javët në vijim.

Këtë fundjavë kemi një ndeshje të fortë kundër Besëlidhjes në Pukë. Duam maksimumin, për të larguar edhe ecurinë jo aq pozitive të javëve të fundit. Tashmë ka ardhur edhe trajneri i ri, Ramadan Nderu, një ekspert i futbollit shqiptar. Uroj që të bëjmë sa më mirë nën drejtimin e tij”.
Endri ÇINARI