
Ka nisur të shtunën në Tiranë një turne basketbolli për moshat e vogla. Ai zhvillohet nga Federata Shqiptare e Basketbollit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe në të marrin pjesë 12 ekipe. Interesant është fakti që 11 ekipe janë nga Tirana dhe vetëm një ekip nga rrethet. Pikërisht ekipi Shkodra Basket me trajner, ish-basketbollistin e Vllaznisë Altin Halili. Ky turne që quhet ndryshe “Bam Pasarela” bëhet për basketbollistë të datëlindjes 1998-2000. Ndonëse ai zhvillohet vetëm në kryeqytet ekipi shkodran ka pranuar të marrë pjesë ndonëse ai zgjat deri në muajin qershor. Trajneri Halili për këtë dëshiron që përmes gazetës tonë të falenderoj grupin e prindërve dhe disa donatorë që kanë bërë të mundur marrjen pjesë në këtë turne. “Për ne ishte e rëndësishme pjesmarrja ndonëse ka shpenzime. Megjithatë kemi krijuar një bord drejtues me prindër të sportistëve dhe donatorë të ndryshëm që ndihmojnë këtë ekip për të shkuar përpara. Kemi fituar në ndeshjen e parë dhe sigurisht që kemi objektivat tona për të dalë fitues ndonëse jemi të vetëm përballë 11 ekipeve të kryeqytetit”-ka thënë trajneri Halili. Vetë ekzistenca e këtij ekipi të klubit privat Shkodra Basket, tregon se edhe në Shkodër ka interesim për basketbollin. Madje Halili bën të ditur se përveç ekipit të tij ka edhe shumë ekipe të tjera që stërviten çdo ditë në palestrat e qytetit dhe ky është një lajm shumë i mirë për këtë sport.
www.shkodrasport.com