Altin Lala, ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, ka qenë i ftuari special në “Sport News” në “News 24”, ku ka analizuar ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Ish-mesfushori ka shpjeguar paraqitjet individuale të kësaj ndeshje dhe arsyen kryesore pse sipas tij ishte mëkat që ndeshja nuk u fitua.

“Kur ke mungesa nuk ke zgjedhjen më të mirë të mundshme. U ndje mungesa e Gjasulës, kurse në mbrojtje u zgjidh disi problematika e Gjimshitit. Para ndeshjes ishte edhe për mua një dilemë me gjithë atë eksperiencë që ka në Champions e është rritur si lojtar. Por Kumbulla e ka zgjidhur jashtë mase mirë. Jo vetëm Kumbulla, por edhe Veseli e Ismajii. Besoj se ky nuk ishte problemi ynë në këto ndeshje.

Ky është futbolli, kur luan në grupe që ke vetëm një herë shansin, ky ishte shans i artë. Por pavarësisht asaj, edhe nëse fitonim do ishte shumë e vështirë të shkonim në Botëror. Por do të vazhdonte ëndrra, entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm. Kur pashë lojën, them se ajo mund të fitohej dje.

Në pjesën e parë ishte një shans i vetëm, kur Manaj zgjodhi të godiste portën e nuk e pa Uzunin që mund ta shërbente. Nuk është e thënë që mund të shënonte edhe nëse pasonte. Pastaj në pjesën e parë disa aksione qe kemi kthyer në mesfushë, ka munguar pasi në mesfushë, një pas më i saktë kur kishim hapësira në kundërsulme, mund t’i godisnim më shpejt.

Kumbulla është një lojtar me kualitet, ai nuk aktivizohet te klubi i Romës aktualisht dhe është problematikë në ekip kombëtar. Në këtë ndeshje e ka zgjidhur shumë mirë, mund të them se ishte për notën 10. Nuk ka gabuar asnjë here, nuk ka gabuar pasime, e veçantë po të luash kundër Levandovskit. Te tre e zgjidhën mirë, por Kumbulla në qendër me pëlqeu jashtë mase. Duke parë që mbrojtja punoi aq mirë, është shije e hidhur që nuk u fitua kjo ndeshje.

Hysaj luan mbrojtës i djathtë te Lacio e më parë te Napoli dhe këtu luan në sisteëm tjetër 3-5-2. Ai është i saktë në veprime edhe pse te ky gol mund t’i “mbetet faji”. Por ato topa nuk mund t’i mbrosh me atë harkim. Është e vështirë ta mbrosh atë situatë dhe qëlloi mesfushori i majtë, edhe Berisha tentoi, por ato gjëra ndodhin. Ai është konstant gjithmonë në lojë dhe mendoj që edhe një herë si mbrojtës e mesfushor, ke volum loje. Ai di të mbrojë e vendoset shumë mirë, për mua ishte ndeshje e mirë”, tha Lala.