Analizë nga Alban HASANI*

Vllazninë unë nuk e shikoj mirë në aspektin fizik sepse nuk ka ba një fazë përgatitore të mirëfilltë. Them të mirëfilltë sepse sado kushte të mira të kesh, fazë përgatitore në Shkodër, në temperatura 40 gradë nuk mund të bësh.Nuk e di se ku ka qenë problemi, ndoshta edhe ana financiare por nëse është e vërtetë se ka këmbëngulur trajneri për të qëndruar në Shkodër, mendoj se ka gabuar. Pastaj nuk është vetëm problemi i temperaturave sesa i grumbullimit, i pushimit dhe i qëndrimit bashkë të sportistëve. Duke mos qenë të grumbulluar, të mos harrojmë se të gjithë futbollistët e Vllaznisë janë familjarë dhe duke qëndruar në Shkodër, dashje pa dashje kur të shkosh në shtëpi pas dy seancave stërvitore të zhvilluara në ditë, prapëseprapë do lëvizësh sepse ke detyrime ndaj familjes, ndaj miqve dhe je i detyruar të mos mbash regjimin si duhet. Ndërsa në fazë përgatitore është tjetër gjë, stërvitje, pushim dhe regjim. Duke qenë se ai muaj i fazës përgatitore ndikon në formën e sportistëve për gjithë vitin.Për këto arsye, kam shumë dyshime se Vllaznia do të çalojë në aspektin fizik. Nëse vitet e tjera, Vllaznia ka qenë mirë në pjesët e dyta të ndeshjeve, këtë sezon skuadra mund të ketë probleme në pjesët e dyta. Unë e kam thënë edhe sezonin e kaluar kur ishte trajner Vata. Vllaznia si me lojtarë si pa lojtarë, është e detyruar për të qenë në Europë. Ajo e ka të detyrueshme këtë gjë, duam s’duam ne, duan s’duan lojtarët.Edhe kryebashkiaku Luka në momentin kur ka pritur skuadrën para fillimit të kampionatit e ka thënë hapur se do titullin kampion. Nuk ka thënë se do Kupat e Europës.Trajneri në fakt duket kundër kësaj por kjo është çështje e tij.Vllaznia si me këta lojtarët që ka blerë, si të luajë vetëm me shkodranë, e ka të detyrueshme të kapi Europën. E ka bërë këtë gjë prej 15 vitesh, që në kohën e të ndjerit Myftar Çela, e ka bërë edhe me ish-presidentin Agron Çela, e ka bërë me ish- presidentin Fushaj çdo vit. Nëse nuk arrihet kjo, sigurisht që dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Vllaznia minimumin e objektivit të saj duhet të ketë një vend në Kupat e Europës dhe kjo as që duhet diskutuar.Kampion ndoshta është diçka tjetër, duhet ndoshta edhe fat, mbështetje e madhe por për këtë objektivin tjetër sigurisht që nuk ka vend për justifikime. Megjithatë unë ia kam frikën fazës përgatitore por edhe kontigjentit jo të madh që skuadra ka në dispozicion sepse në pankinë nuk ka shumë lojtarë cilësorë.
*Trajner i kombëtares së minufutbollit të Shqipërisë