Aktivizimi I tij në dy ndeshjet e fundit si titullar, ka bërë që ai të ndjehet edhe më mirë tek Vllaznia. Klodian Semina iu bashkia skuadrës shkodrane në limitet e merkatos ngaqë nuk arriti të firmoste në Maltë dhe megjithëse nuk u mendua fillimisht si titullar, shumë shpejt arriti të kapë formacionin. Ka luajtur ndeshjen e parë në Kukës e të dytën ndaj Luftëtarit dhe në të dy këto takime, skuadra nuk ka pësuar gol. Çka tregon se ai dhe lojtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes e kanë bërë më së miri detyrën e tyre. E rëndësishme mbi të gjitha ishte fitorja në ndeshjen e fundit me Luftëtarin, trepikësh ky që vlerësohet mjaft edhe nga Semina që do shprehej: ““Kjo fitorja me Luftëtarin ishte e rëndësishme por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.
Kampionati tani ka filluar taman për ne. Jemi komodë, jemi të qetë pas kësaj fitoreje dhe duhet të shohim për më tej”. Duke u ndalur edhe më gjatë tek ndeshja ndaj gjirokastritëve, ajo merr vlera sepse u arrit në një moment jo dhe aq të përshtatshëm për Vllazninë. Ajo ishte para një presioni për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje. Megjithatë mbrojtësi 23 vjeçar që ka provuar të luajë edhe me Adën, Gramozin, Bellasicën në Bullgari dhe Lokarnon në Zvicër, nuk e mendon krejt kështu prandaj deklaron: “ Unë nuk mund të them se ishim para një presioni të madh para ndeshjes. Normal që tifozë, drejtues dhe gjithë ambjenti rreth nesh, nuk kërkonin gjë tjetër përveç marrjes së tre pikëve. Sigurisht që edhe për ne nuk kishte asnjë rrugë tjetër përveç fitores me skuadrën gjirokastrite. Shorti ishte I favorshëm për ne dhe luajtja e dy ndeshjeve në Shkodër ishte favori më I madh të cilin duhej ta shfrytëzonim. Gjatë dy javëve përpara kësaj ndeshje, kemi punuar në mënyrë të shkëlqyer me vlerësim maksimal sepse këto dy ndeshje I cilësonim si çelësin e rezultateve positive të skuadrës në të ardhmen prandaj dhe tashmë që e siguruam fitoren e parë, me qetësi dhe me lojë të mirë. Rezultati mendoj se erdhi si pasojë e lojës së bukur që zhvilluam. Megjithatë ajo ndeshje tashmë kaloi dhe na duhet të kemi sërish të njëjtin përqendrim edhe për ndeshjen e dytë për ta kaluar edhe atë me sukses”. Duke luajtur në fushë, Semina ndjehet mirë. Aq më tepër kur merr vlerësime edhe nga ana e trajnerit Duro I cili I vlerëson së tepërmi ata që bëjnë më të mirën në stërvitje. Këtë e pohon edhe mbrojtësi shtatëlartë shkodran kur thotë: “Trajneri na e shpreh gjithmonë edhe në stërvitje se do luajë ai që do tregojë formën më të mirë në seancat stërvitore dhe jo më kot, në ndeshjen e fundit ishim në formacion unë, Belisha dhe Tafili që nuk e nisëm kampionatin si titullar. Kjo na motivon për të bërë më të mirën në çdo seancë për të ruajtur formën dhe për t’I shërbyer skuadrës ashtu siç duhet”. Fitorja me Luftëtarin megjithatë nuk duhet t’I bëjë me krahë kuqeblutë. Ata të gjithë e kanë të qartë këtë gjë. E shpreh edhe Klodian Semina në fund të prononcimit të tij duke thënë: “Sa I takon ndeshjes së rradhës me Apoloninë, ne kemi filluar përgatitjet dhe tek të gjithë pjestarët e skuadrës ekziston besimi se do të përsërisim të njëjtin sukses si ndaj Luftëtarit. Nuk duhet ta nënvlerësojmë në asnjë mënyrë këtë ndeshje port a vlerësojmë drejt dhe të marrim tre pikët e fitores”. Ai ndonëse është më I riu sëbashku me Hajdarin në skuadër, e ka thënë fjalën e tij. Një fjalë që duhet të zërë vend.
Gjergj KOLA