FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPushimi i Superiores, mbrojtja në fokus te Vllaznia

Pushimi i Superiores, mbrojtja në fokus te Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia vazhdon të ketë një prej prapavijave më të brishta në kampionat, teksa shkodranët janë ndër skuadrat që kanë pësuar më shumë gola në Superiore. Pas 11 javëve të para, kuqeblutë kanë 16 gola të pësuar, një shifër që tregon qartë problemet e skuadrës në fazën mbrojtëse. Vetëm Partizani e Vora kanë pësuar më shumë, me 21 gola në portën e tyre.

Megjithatë, në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, Vllaznia dha sinjale përmirësimi. Fitorja 1-0 jo vetëm që i dha tri pikë të rëndësishme skuadrës, por solli edhe një tjetër element pozitiv: portën e paprekur. Shkodranët arritën të mbronin avantazhin deri në fund, duke treguar më shumë qartësi dhe disiplinë në prapavijë.

Një meritë e veçantë në këtë aspekt i takon edhe portierit Jukaj, i cili ishte ndër protagonistët kryesorë të suksesit ndaj Elbasanit. Gardiani kuqeblu pati disa ndërhyrje të rëndësishme dhe në momente të caktuara mbajti skuadrën në lojë, duke mos lejuar që kundërshtarët të konkretizonin rastet e krijuara.

Pavarësisht këtij progresi, problemet në prapavijë nuk janë zgjidhur ende. Në disa prej ndeshjeve të këtij sezoni, Vllaznia është vendosur në vështirësi pikërisht për shkak të hapësirave të lëna pas dhe mungesës së qetësisë në momentet vendimtare. Për këtë arsye, trajneri Lazslo ka ende shumë punë për të bërë me repartin difensiv.

Pushimi i kampionatit vjen në një moment të rëndësishëm për kuqeblutë dhe i jep stafit teknik mundësinë të punojë më shumë me skuadrën. Organizimi, vendosja dhe reagimi në fazën mbrojtëse pritet të jenë ndër pikat kryesore ku do të fokusohet puna gjatë këtyre ditëve, me synimin që Vllaznia të rikthehet më e konsoliduar.

Deri tani, shkodranët kanë vuajtur jo pak në prapavijë, por fitorja ndaj Elbasanit mund të jetë një pikënisje për ndryshim. Nëse skuadra arrin të ruajë ekuilibrin dhe të minimizojë gabimet në mbrojtje, atëherë në rikthimin e kampionatit mund të shfaqet një Vllazni më e fortë dhe më e qëndrueshme në garën e Superiores.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments