Anëtarësimi I klubit Vllaznia në Shoqatën e Klubeve të Europës pritet të sjellë shumë të mira për të sidomos në aspektin e promovimit të emrit dhe vlerave të tij. Ai që e thotë këtë është njeriu I cili ka negociuar për këtë anëtarësim, pikërisht menaxheri shkodran I futbollit Dritan Gjyrezi. Ky I fundit, ka marrë pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj shoqate që u zhvillua javën e kaluar në Gjenevë të Zvicrës. Gjatë zhvillimeve të punimeve të kësaj Asambleje, ai ka patur disa takime me presidentin e saj, gjermanin e mirënjohur Karl Hainz Rrumenige. Madje në adresë të tij ka ardhur edhe një ftesë nga ana e kryebashkiakut Lorenc Luka për të vizituar Shkodrën. Këtë e konfirmon vetë Gjyrezi që për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Po, është mëse e vërtetë. Në takimin që pata me Rrumenigen, që është presidenti I Shoqatës së Klubeve të Europës (ECA), në emër të kryebashkiakut të Shkodrës, Lorenc Luka që është njëkohësisht edhe president I Vllaznisë, I bëra një ftesë zyrtare për të vizituar Shkodrën. Sigurisht që nëse realizohet, do ishte diçka e bukur për futbollin shkodran sepse Rrumenige është një personalitet I madh I futbollit botëror. Ajo që më çuditi ishte përgjigja e tij. Ai u shpreh shumë I gatshëm për ta realizuar këtë vizitë sapo t’I krijohet mundësia. E përsëris do ishte diçka e bukur”. Por çfarë përfiton Vllaznia me anëtarësimin në këtë Shoqatë (ECA)? Gjyrezi shpjegon: “Mbi të gjithë rritet reputacioni I klubit. Vllaznia bëhet një emër I njohur për të gjitha klubet anëtare të kësaj Shoqate nga mbarë Europa. Përpos kësaj, rritet edhe mundësia për bashkëpunim mes klubeve. Të paktën në rangun e miqësoreve teksa mund të bisedohet dhe të bien dakord për zhvillimin e ndeshje miqësore. Po ashtu, ECA njofton të gjitha klubet anëtare të saj për rregullat e reja duke bërë atë të ecë në mënyrë të njëtrajtë me të gjitha klubet e tjera europianë. Mund të këshillohesh për fair- play-in financiar dhe për shumë gjëra të tjera. Po ashtu, vetë Rrumenige dha premtimin se përfaqësuesi I Vllaznisë shpejt do jetë pjesë e grupeve të punës të kësaj Shoqate dhe kjo është diçka shumë e mirë”. Klubi shkodran në këtë mënyrë ka filluar të angazhohet për përmirësimin e imazhit të saj edhe në arenën ndërkombëtare. Ndryshimi I drejtimit të klubit dhe planet për të ndërtuar një klub të fortë, natyrisht që duan edhe miq të mirë dhe mbështetje nga të huajt. Për këtë arsye, në të ardhmen mund të ketë të tjera risi në marëdhëniet me klubet e tjera të huaja teksa mund të projektohen edhe miqësore me klube të njohura të kontinentit tonë.
Gjergj KOLA

Ne foto, Dritan Gjyrezi me Kalr Hainz Rrumenigen