Sunday, February 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREAltin Xhahysa nuk ka dyshime: Vllaznia është ende në garë për trofetë

Altin Xhahysa nuk ka dyshime: Vllaznia është ende në garë për trofetë

Altin Xhahysa, ish-kampion i vendit me Vllazninë dhe ish-trajner i klubit kuqeblu për një periudhë të shkurtër ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur tek përgatitjet dimërore të kuqebluve, duke theksuar se pushimi i kampionatit erdhi në momentin e duhur për ekipin e Martinit. Teksa thekson se pret një Vllazni me një mentalitet tjetër dhe dominues në fushën e lojës në vitin 2026. Ndër të tjera ish-sulmuesi ndalet edhe tek bllokimi momentalisht i merkatos e po ashtu te pritshmëritë personale që ai ka për disa futbollistë të skuadrës. Ndërsa është i bindur se starti i vitit 2026 do jetë shumë pozitiv për Vllazninë, ku Xhahysa pret një fitore në ndeshjen e parë kundër Pogradecit.

Xhahysa, Vllaznia e mbylli me një fitore vitin 2025, mendoni se do vijojë në të njëjtin ritëm skuadra kuqeblu edhe në startin e vitit 2026?
Them se skuadra e mbylli vitin me atë fitore 3-2 kundër Flamurtarit, që përveç pikëve ishte shumë e rëndësishme nga ana morale. Pasi futbollistët shkuan disi më të qetë në pushime sipas meje, pasi rikthehet optimizmi dhe dëshira për të bërë akoma më mirë. E nga kjo pikë duhet rinisur skuadra në vitin 2026, të përmirësojë sërish, të rikuperojë pikët, ku jam i bindur se mundësitë dhe cilësitë i ka. Por, edhe të mos ripërsëritë gabimet e së shkuarës dhe të korrigjojë gjërat që nuk kanë qenë aq pozitive.

Si e keni shikuar këtë grumbullim të skuadrës në Ulqin gjatë fillimit të janarit?
Them se pushimi i kampionatit erdhi në momentin e duhur për Vllazninë, pavarësisht se e mbylli me fitore vitin. Skuadra duhej të rikuperonte fizikisht dhe psikologjikisht, ku duhet të largojë presionin që mund të ketë për shkak të objektivit të titullit kampion. Grumbullimi është shumë pozitiv sepse skuadra stërvitet nën ritëm të mirë dhe përgatitet akoma më seriozisht për pjesën e dytë të sezonit. Pavarësisht se koha është e shkurtër dhe nuk mund të cilësohet një fazë e mirëfilltë përgatitore, por e rëndësishme është që të jenë të bashkuar dhe qëndrojnë larg zhurmës.

Çfarë mund të presim nga skuadra në pjesën e dytë të edicionit?
Personalisht pres përmirësim nga Vllaznia, të rikthehet ndoshta edhe në ritëm më të lartë se fillimi i sezonit, ku të gjithë u kënaqëm me skuadrën. Mundësitë i ka dhe këtë e thashë edhe më sipër, kundërshtarët nuk janë larg dhe Vllaznia është totalisht në garë për gjithçka këtë sezon. Prandaj jam optimist dhe besoj se do shohim sërish një Vllazni fituese dhe me futboll argëtues.

Merkato ende e bllokuar, përbën kjo ndonjë shqetësim në këndvështrimin tënd?
Çdo skuadër kërkon të përmirësojë gjithmonë dhe në çdo moment, këtu nuk bën përjashtim as Vllaznia. Por, ne e dimë se merkato e janarit ka opsione të kufizuara, sepse vështirë të gjesh futbollistë cilësorë që bëjnë diferencën në këto momente. Unë them se Vllaznia e ka ekipin e plotësuar edhe pa merkato, gjithmonë duke mos pasur as dëmtime. Nuk besoj se ndikon bllokimi i merkatos tek skuadra, pavarësisht se dua që ajo të zhbllokohet që mos të ketë problematika në të ardhmen. Po ashtu do shtoja se pres nga disa futbollistë akoma më tepër në vitin 2026, prandaj nuk shoh se skuadra duhet të bëjë edhe aq shumë ndërhyrje në merkato.

Kush mund të jenë futbollistët nga të cilët pret shumë më shumë?
Do thosha të gjithë, nuk do i përjashtoja sepse ka ende cilësi që nuk i kemi parë aq shumë herë në fushën e lojës. Por, nëse duhej të veçoja do thosha pjesën e sulmit, Kastratin apo Kallakun, të cilët kanë dhënë performancë, por besoj se kanë akoma më shumë “futboll” në këmbët e tyre dhe nga ata pres personalisht. Po ashtu balancim i mbrojtjes në përgjithësi, që skuadra të mos pësojë aq “kollaj” siç ndodhi në dy fazat e para të kampionatit.

Kupa në prag me një ndeshje kundër Pogradecit, ka të njëjtën vlerë si kampionati?
Absolutisht që po, nuk ka aspak vend për nënvlerësime në kupë. Është një kompeticion që nëse fiton në fund të garanton pjesëmarrjen 100% në kompeticionet europiane. Këtë gjë e dinë mirë edhe te Vllaznia dhe e di se skuadra do jetë e karikuar në maksimum për ndeshjen me Pogradecin. Sidomos duke qenë se është dueli i parë i vitit dhe luhet në Shkodër, ku fitorja do i jepte moral tjetër skuadrës edhe për ndeshjen e radhës në kampionat shumë të rëndësishme kundër Egnatias.

Pra, i bindur absolutisht në një sukses të shkodranëve këtë të shtunë?
Po, më se i bindur që Vllaznia e kalon me sukses kupën dhe nis përgatitjet pastaj për kampionatin. Pres një fitore dhe një start të vitit 2026 në mënyrën e duhur për kuqeblutë, që shpresoj të konkretizohet me një sukses akoma me të madh në muajin maj për skuadrën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments