Skënderbeu ka fituar pasditen e djeshme 1-0 ndaj Vllaznisë brenda në “Loro Boriçi”. Një fitore që u ka “djegur” shumë shkodranëve që tashmë e shohin veten të pozicionuar në vendin e tetë dhe të shkëputur 4 pikë nga i shtati.

Këtë ndeshje e ka ndjekur nga afër edhe gazetari i njohur Tonin Frroku që sëbashku me kolegun e tij Llazi Saro ka transmetuar drejtëpërdrejtë nga “Loro Boriçi” këtë ndeshje për Radion Korçën. Në fund të takimit, Frroku ka dhënë edhe një intervistë për “Shkodra Sport” në të cilën ka analizuar edhe shkaqet që çuan në fitoren e korçarëve.

“Me atë çfarë dha në fushën e lojës, mendoj se ishte një fitore e merituar e Skënderbeut. Në fakt, ka qenë një ndeshje shumë interesante, e luftuar nga të dyja skuadrat.

Nëse në pjesën e parë, për hir të së vërtetës, Skënderbeu ka bërë më mirë sesa ekipi i Vllaznisë, në të dytën kanë qenë shkodranët që kanë kërkuar më shumë fitoren deri në fundin e saj. Trajneri Mirsad Jonuz nuk la gurë pa lëvizur, për mirë, për skuadrën, ka guxuar fort dhe imagjinonin, ka patur katër futbollistë me tipare sulmuese në fushën e lojës.

Ky është një fakt që tregon se po guxonte shumë në fazën sulmuese të lojës në këtë ndeshje e cila në fakt nga renditja nuk dukej shumë e rëndësishme, por ishte tejet e rëndësishme për Vllazninë nga njëra anë dhe për Skënderbeun në anën tjetër.

Vllaznia duke luajtur në fushën e vet dhe për më tepër që vinte pas një fitoreje, donte një tjetër sukses por edhe Skënderbeu kërkonte të njëjtën gjë. Ia arriti, edhe pse në fund të lojës, ia arriti edhe sepse Ilir Daja e ka bërë gjithçka mirë me ato lëvizje, duke patur në lojë më shumë futbollistë me tipar ndërtues më shumë sesa shkatërrues.

Lojtarë të cilët kanë ndërtuar fort mirë në fazën sulmuese në fundlojë duke e kthyer Skënderbeun me tre pikë në Korçë dhe duke e lënë Vllazninë me zero pikë në këtë takim, me një humbje që djeg fort për ekipin shkodran”- ka thënë gazetari Frroku.
© shkodrasport.com