Ditën e sotme pritej të zyrtarizohej trajneri i ri i Kukësit, pas shkarkimit të Shpëtim Duros, i cili nuk arriti të fitonte asnjë nga tre ndeshjet e fundit dhe e humbi plotësisht besimin e trajnerit Safet Gjici.

Presidenti vendosi të sjellë dikë tjetër në krye të stolit që do të sjell një frymë të re në skuadër dhe do e kthejë atë te triumfet.

Mëngjesin e sotëm Kukësi njoftoi se në orën 16:00 do të prezantohej trajneri i ri, me VIP Sport që mësoi se kishte një marrëveshje mes Skënder Gegës dhe presidencës së Kukësit dhe pritej që ish-trajneri i Partizanit të zyrtarizohej pasditen e sotme. Megjithatë, Kukësi në një njoftim të dytë raportoi se prezantimi i trajnerit ditën e sotme nuk do të bëhet.

Kjo gjë do të ndodhë në një moment të dytë, teksa në krye të ekipit përkohësisht është vendosur Rrahman Hallaçi. I gjithë ky skenar të çon në një prishje të marrëveshjes në momentet e fundit mes Gegës dhe Kukësit.

Tani gjërat kanë ndryshuar dhe raportohet se emri i ri që presidenti Gjici ka zgjedhur është ish-trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi.Ai ka një marrëveshje verbale me Kukësin, por ende jo përfundimtare dhe pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në vijim.

Ky skenar mes Skënder Gegës dhe Kukësit është i përsëritur, pasi tre vite më parë mësohej se marrëveshja ishte arritur dhe ishte vendosur edhe ora e prezantimit, por përsëri gjithçka u anulua. /vipsport/