Mbrëmë në Gjermani ka arritur të marrë një fitore me shumë vlerë ndaj boksierit gjerman Grguriç duke fituar kësisoj edhe titullin kampion bote në Universal Boxing Organization (UBO) dhe duke merituar gjerdanin e artë.

Nuk ka qenë një fitore aspak e lehtë sepse për boksierin shkodran ka qenë përballja e parë e tij në boksin profesionit në një ndeshje me 10 raunde megjithatë ia ka dalë me sukses, ndonëse edhe vendimet e arbitrave kanë qenë shumë të përafërt.

Njëri prej tre arbitrave në fund ka dhënë një rezultat të barabartë 94-94 për të dy sportistët, ndërkohë që dy të tjerët, Jens Kluge dhe Izzet Kurnaz i kanë dhënë fitoren Demajt me rezultatin 95-93 dhe 96-92. Në këtë mënyrë, me këto vendime, 28 vjeçari i lindur në Gjermani, i rritur në Shqipëri dhe tashmë sërish banues në Gjermani, është shpallur fitues.

Paraditen e sotme, Kristian Demaj ka dhënë edhe një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” teksa duke folur për ndeshjen ka thënë: “Ka qenë një fitore e bukur, por shumë e lodhshme dhe madje edhe sot, i gjithë trupi po më dhemb. Ua kam thënë edhe më përpara se do ta kisha pak probleme në këtë ndeshje me 10 raunde, ngaqë nuk kam zhvilluar më parë asnjë ndeshje të tillë.

Megjithatëm, falë punës së bërë ia dola. Bashkë me stafin tim ndërtuam edhe një strategji se si do t’ia dilnim me sukses në këtë takim dhe ashtu rezultoi. Në tre raundet e para e kam dominuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet, ndërkohë që më pas, i racionalizova forcat për të shkuar deri në fund. Ka qenë edhe një lojë nervash me kundërshtarin, por në fund ia dola dhe jam i lumtur”.

I pyetur se cili do të jetë tashmë pikësynimi për të ardhmen pas këtij gjerdani të fituar, Demaj përgjigjet: “Për momentin do të shijoj këtë fitore dhe më pas, do të nis sërish punën për ndeshjet e ardhshme. Dua ta mbroj këtë titull dhe këtë gjerdan edhe 2-3 herë të tjera. Pasi të ndodhë kjo, pastaj dotë mendoj për ndonjë gjerdan tjetër”.
© shkodrasport.com