Në ndeshjen e djeshme në Shkodër ndaj Vllaznisë, pritej që trajneri Ilir Daja ta aktivizonte nga minuta e parë sulmuesin shkodran Belajdi Pusi. Kjo nuk ka ndodhur sepse ai ka ka zgjedhur të aktivizojë nga minuta e parë sulmuesin Mensah.

U mendua se do të luante ndoshta disa minuta në pjesën e dytë por sërish nuk ka ndodhur dhe sulmuesi 21 vjeçar shkodran kuptohet që edhe mund të jetë mërzitur, por në fund ka gëzuar bashkë me shokët e ekipit dhe stafin teknik për atë fitore me shumë vlerë të ardhur falë golit të Krasniqit në minutën e 93-të.

Mosaktivizimi i Pusit ndaj ish- skuadrës së tij në fakt nuk është pritur mirë nga lojtari por edhe njerëzit e tij sepse kjo do të ishte një mundësi e mirë për t’i treguar stafit kuqeblu që kanë gabuar duke mos i besuar shumë.

I besoi Ilir Daja dhe Skënderbeu që e morën në merkaton e janarit, megjithatë edhe atje, duket se nuk po gjen hapësirat e duhura për t’u aktivizuar. Gjithsesi, trajneri ka një mendim shumë pozitiv për këtë lojtar dhe e ka shprehur edhe në një prononcim të tij për mediat pas ndeshjes kur ka deklaruar:

“Ka bërë goxha mirë në ato ndeshje që ka luajtur, madje ka startuar edhe si titullar në 11-shin e parë. Ka nevojë për një eksperiencë më të madhe, eksperiencë që duhet ta fitojë me minutazh loje. Jam i kënaqur për Pusin sepse është një lojtar që i shton vlerën e cilësisë brenda ekipit të Skënderbeut”.
© shkodrasport.com