Situata në këto 13 javë nuk ka qenë e mirë për kuqeblutë sidomos në këtë gjysmën e dytë ku më shumë se çdo gjë tjetër nisi të diskutohej rënia e skuadrës nga kategoria. Një ide që përforcohej çdo ditë e më shumë nisur nga problematika e madhe që shoqëronte klubin. Por, kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të Vllaznisë Xhevdet Amuli është shumë i bindur se skuadra sivjet nuk bëhet fjalë të rrezikojë për rënien nga kategoria.
“Mund të jetë diskutuar vërtetë për frikën e rënies së Vllaznisë nga kategoria por tani e tutje jo. Ai që ka mendon ndryshe, ta harrojnë këtë gjë. Nuk jemi këtu për të ndodhur kjo. Kemi ardhur në këtë funksion për ta ngjitur sa më lart dhe të jeni të bindur se kështu do të ndodhë. Funksionet tona nuk janë politike por të gjithë, si dashamirës të Vllaznisë, do të bëjmë më të mirën për të”- është shprehur ai.
Rishikimi i kontratave
Prishja e kontratës me kompaninë “Gea Sport” dhe rimarrja e Vllaznisë sërish nga Bashkia, ka krijuar jo pak probleme në mënyrën e administrimit të klubit. Megjithatë ardhja e Këshillit të ri Mbikëqyrës pritet të normalizojë shumë gjëra. Edhe sa i takon kontratave me futbollistët. Këtë e bën të ditur kryetari i këtij Këshilli Xhevdet Amuli që për gazetën do të shprehej: “Personalisht që në fillim nuk kam patur besim tek kjo kompani. Por tashmë ajo i takon së kaluarës pavarësisht se na ka lënë jo pak pasoja. Megjithatë, çdo futbollist dhe pjestar i stafit teknik e ka të shkruar në kontratë se në rast të prishjes së kontratës me “Gea Sport”, klubit i lind e drejta e rishikimit të kontratës. Sigurisht që këtë gjë nuk mund ta bëjmë tani që kampionati është në vazhdim, por në janar me siguri që do të ndërhyjmë. Mund të largojmë edhe ndonjë futbollist që ka rezultuar i pavlefshëm për skuadrën deri tani e po ashtu do të shikojmë kontratat për secilin futbollist duke e vlerësuar për atë se çfarë ka dhënë në fushë gjatë këtyre ndeshjeve të zhvilluara deri tani. Nuk mund të lejojmë të paguhen në shuma të konsiderueshme lojtarë që nuk e kanë justidikuar aspak veshjen e fanellës kuqeblu”. Pikërisht kjo deklaratë tregon se gjërat do jenë ndryshe në janar e prapa.
Merkato
Nëse do të largohen lojtarë, natyrisht që ata do të zëvendësohen me të tjerë. Këtë gjë ka thënë edhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës Xhevdet Amuli kur në prononcimin e tij ka deklaruar dhe për planet që kanë drejtuesit e klubit për merkaton e janarit. “Duke qenë se do ketë disa largime, natyrisht që do mendohet edhe për afrime të mundshme. Me to sigurisht që do merret stafi teknik bashkë me drejtorin sportiv ndërkohë që ne si Këshill apo Bord, do jemi në dijeni për çdo lëvizje. Nga sa kam marrë vesh, në janar mund të vijnë 3-4 futbollistë të huaj në formë huazimi por kuptohet pa bërë gabimet e verës kur “Gea Sport” solli tek Vllaznia shumë lojtarë që po ngrohin stolin. Gjërat këtë herë do jenë më ndryshe. E rëndësishme është të arrijmë objektivin për të qenë në vendet 5-6 në fund të kampionatit ndërsa për sezonin tjetër do bëhen plane të tjera dhe ideja ime është që të bazohemi kryesisht tek futbollistët shkodranë”.
Apolonia & Elbasani
Kryetari Amuli është ndalur edhe tek dy ndeshjet e rradhës, ato me Apoloninë dhe Elbasanin që sipas tij janë plotësisht të kalueshme. “Në pamje të parë do jenë dy ndeshje shumë të vështira dhe deçisive por unë mendoj se Vllaznia i ka forcat e mundësitë për t’i fituar ato. Duke arritur këto fitore do jemi më të qetë pastaj për vazhdimin e kampionatit”- ka thënë kryetari i Bordit të Vllaznisë
-Bordi, mbështetje maksimale nga kryebashkiaku
Kryetari i Bordit (Këshillit) Mbikëqyrës të Vllaznisë në prononcimin e tij duke folur me shumë entuziasëm për të ardhmen e kësaj skuadre, natyrisht që ka dashur të shpjegojë se e gjithë kjo gjë nuk mund të jetë pa një mbështetje edhe nga ana e numrit 1 të Bashkisë, Lorenc Luka. “Ne pranuam të ndërmarrim këtë inisiativë për t’i ardhur në ndihmë Vllaznisë deri në momentin e daljes së një ligji të ri për sportin që do t’i hapte rrugë më pas edhe privatizimit të saj, por kjo nuk do të thotë se thjesht do kemi emrat në atë Bord. I kemi hyrë seriozisht punës por për ta bërë ashtu si duhet atë, natyrisht që duhet një mbështetje edhe nga ana e kryetarit të Bashkisë. Z. Luka na e ka dhënë atë dhe na ka premtuar se do na japë gjithë përkrahjen e duhur për ta bërë si duhet punën tonë. Vërtetë mund të ketë patur probleme në administrimin e klubit këto tre vitet e tjera por tashmë ju siguroj që do jetë ndryshe”- është shprehur Amuli.
Ish- zëvendëspresidenti: Do të blej edhe unë aksione tek Vllaznia
Për tre vite me rradhë ka mbajtur rolin e zëvendëspresidentit tek Vllaznia pikërisht në vitet 2003-06 duke kontribuar jo pak nga ana financiare. Më pas, emri i tij është përfolur shumë herë për të marrë Vllazninë por ai është tërhequr. Biznesmeni Xhevdet Amuli, njëkohësisht edhe këshilltar i Bashkisë, nuk ka ndër mend të hedhë lekë kot përderisa ato para nuk njihen. Ai është në pritje të daljes së ligjit të ri të sportit që do të favorizojë privatimin e klubeve dhe më pas ka ndër mend të blejë aksione tek Vllaznia. e konfirmon vetë këtë gjë kur thotë: “Një biznesmen nuk mund të bëjë aventura të kota për t’i hedhur lekët kot. Unë personalisht pres që të nisë procesi i privatizimit të Vllaznisë dhe e konfirmoj publikisht se do jem aksioner i saj. Nuk ka rëndësi me sa përqind, një apo më shumë. E rëndësishme është që do të jem pjesë e Vllaznisë dhe si unë, besoj se ka edhe shumë bisnesmenë të tjerë shkodranë që janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë”.