Shumë diskutime për pretendimet që duhet të ketë Vllaznia e këtij sezoni. Fakti që skuadra i ka bërë një nisje të mirë kampionatit, ka bërë që në opinion të shpërthejnë edhe diskutimet dhe ambicjet për të qenë një ekip pretendent në këtë sezon.

Por ndërkohë analisti i njohur Apollon Haxhi mendon ndryshe. Në “Sport Shoë” ai është ndalur fillimisht tek ndeshja e fundit me Skënderben dhe tek sulmuesi Dilaver, për të cilin thotë se duket që është gjetur njeriu- gol.

“Dilaver duket një lojtar shumë i mirë, është nuhatës në zonë, di mirë ku të vendoset dhe e godet portën në pozicione të ndryshme. Shpresoj të jetë sulmuesi që i ka munguar Vllaznisë.

Për vetë problematikat me të cilat nisi ky kampionat, unë them se do të ketë sukses ai ekip që do të shfaqë gjendje më të mirë fizike. Kjo sepse të luash dy ndeshje në javë është shumë e vështirë dhe duhet treguar forcë fizike për ta përballuar atë si duhet.

Mendoj se do të jetë një kampionat me rivalitet, pavarësisht se disa ekipe nuk e kanë nisur mirë atë, por me kalimin e javëve gjërat do të ndryshojnë. Ngjeshja e kalendarit do të nxjerrë në pah edhe kualitetet që do kenë skuadrat.

Vllaznia duhet t’i ruhet euforisë. Dy fitoret e para janë arritur ndaj skuadrave më të dobëta. Duhet të bëjmë shumë kujdes për të ardhmen. Vllaznia është formatuar për të qenë në pesëshen e parë të renditjes”- ka thënë analisti Haxhi./SHKODRA-SPORT.COM/