I përceptuar si sporti që zhvillon karrerë vetëm për burrat, futbolli ka dhënë shpresë dhe mundësi për vajzat nga Prizreni. Në Klubin “Iliria” vajzat kanë nisur përvojën në sportin që garanton zhvillim të mirë të karirerës.

Edhe pse Kosova nuk ka një ligë të fortë të futbollit të femrave, vajzat kanë mundësi që pas forcimit profesional të nisin karrerën në klube të rajonit dhe Europës.

Jehona Shala nga Prizreni, ende pa i mbushur 20 vjeç është një futbolliste e re që luan për klubin “Vllaznia” në Shkodër dhe mban numrin 10.

Ky numër për të do të thotë shumë pasi është numri që mbante Ronaldo de Assis Moreira, i njohur me nofkën “Ronaldinjo”.

Lojëtari shumë i njohur brazilian ka qenë inspirim për Jehonën për një kohë të gjatë derisa po pret të bëjë rrugë për një karrierë ndërkombëtare. Ajo gjithashtu e ka klub të ëndërrave, Manchester United në Angli.

Jehona filloi të luajë futboll në moshën 10 vjeçare në klubin “Liria” të Prizrenit.Ajo më pas iu bashkua klubit në Shqipëri të cilin e konsideron një shtysë të madhe në karrierën e saj.

“Arsyeja pse un kam vendosur që të luaj për klubin e Shkodrës është se janë ekipi më i avancuar mund të them në regjionin e Kosovës dhe Shqipërisë. Ata janë një ekip që marrin pjesë çdo vit në “Champion League” qe 6 vite rradhazi”, thotë ajo.

Ajo shpreson se në 2-3 vitet e ardhshme do të luajë diku jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.“Motivi im më i madh që të merrem me këtë sport është idoli im Ronaldinio të cilit shumë herë ia kam percjellur ndeshjet”, thotë futbollistja.

Jehona thotë se në fillet e karrierës u përball edhe me paragjykime e stereotipe mbi sporitn që ka zgjedhur të luaj. Por më vonë thotë se morri përkrahjen e familjes dhe në veçanti profesorëve.Përveç futbollit, Jehonës i pëlqen edhe fitnesi dhe thotë se po të mos merrej me futboll do të ishte trajnere në fitnes.19 vjeçarja ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës me të cilën ka shënuar 35 gola.

Rruga e Jehonës drejt suksesit

Edhepse i ra të dëgjojë shpesh se vajzat nuk duhet të luajnë futboll, nxënsja e Prizrenit e nisi me vendosmëri karrierën. Ajo kishte vazhduar të qëndrojë nxënëse e shkëlqyer dhe futbolliste e jashtëzakonshme në 9 vitet e karrierës.

Ish- mësuesi i saj i Edukatës Fizike dhe tani menaxheri i Jehonës, Granit Gashi ka folur për KALLXORinia lidhur me zbulimin e talentit të futbollistes.

“Jehona Shala si sportiste është një sportiste e rallë e qytetit tonë ka aftësi shumë të mira të futbollit. Edhe në shkollë në përgjithësi është vajzë shembullore”, thotë ai.

Ai ka folur edhe për vështirësitë që Jehona ka pasur pasi zgjedhi këtë karrierë.

“Ka inat të fortë, ka durim të fortë.Shum të tjerë kanë fol që nuk mundet të bëhet një futbolliste por ja arriti qëllimit të bëhet futbolliste e hatashm. Me ndihmën tonë u bë një perfaqësuese e denjë e përfaqësuses së Kosovës”, thotë ai.
(Marre nga kallxo.com)