Trajneri i njohur Kreshnik Krepi ka analizuar për “Shkodra Sport” ecurinë e skuadrave në katër javët e para të Kategorisë Superiore. Njeriu që është caktuar para pak kohësh të drejtojë kombëtaren U19 të femrave, është i mendimit se nisur nga ajo çfarë kanë dhënë skuadrat në fushë, renditja aktuale është ajo e duhura.

“Me atë që kanë dhënë skuadrat në fushë në këto 4 javët e para, mendoj se është renditja e duhur, pavarësisht edhe ndonjë problematike të veçantë që mund të ketë shfaqur ndonjëra prej tyre. Megjithatë unë nuk mendoj se do të jetë kjo renditje pas 4 javësh.

Normalisht shoh një skuadër si Kukësi që në këtë fillim- sezoni ka marrë pikë më shumë sesa mendohej, por me problemet që duket se kanë nisur pas ndeshjes së fundit, me shumë mundësi nuk do ta ruajë atë pozicion që ka.

Ashtu siç shoh skuadra si Teuta që ka shfaqur shumë stabilitet në rezultate dhe në mënyrën e lojës, në raport me stafin që ka dhe me kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion.

Po ashtu edhe për Vllazninë mendoj se pritshmëritë për të nga java në javë janë më të mëdha sepse i ka të gjitha mundësitë për të ecur përpara.

Plus tyre shohim një Dinamo shumë sulmuese. Kjo është ndoshta për meritë të trajnerit i cili aspektin sulmues të lojës kur ka qenë futbollist, dëshiron ta përdorë edhe tashmë si trajner. Ndërkohë ka edhe skuadra si Laçi që ka marrë vetëm 2 pikë deri më tani dhe me siguri që në javët në vazhdim do të ngjitet në renditje”- ka thene Krepi./SHKODRA-SPORT.COM/