Trajneri i njohur, Shkëlqim Muça, ka analizuar vitin futbollistik 2019 duke u ndalur te futbolli vendas, me kampionatin shqiptar që ka qenë më në fokus përtej kombëtares. Në “Rubrika Sportive”, Muça argumentoi se kampionati ka rivalitet, por ka ende punë për të bërë për t’u krahasuar me skuadrat e Europës në aktivitete ndërkombëtare.

“Kampionati është kryesor për Shqipërinë, tifozeria më e madhe është e fokusuar te ky sport, ndaj sportdashësit kampionati i zgjat interes përveç kombëtares. Çdo kampionat ka bukuritë e tij, specifikat e tij.

Kampionati gjithmonë ka rivalitet, edhe ky ka pasur rivalitet. Partizani pas një mungese të gjatë ka filluar një kampionat bindës, nuk ka pasur shumë oscilacione, por bukurinë ia ka dhënë rivaliteti i ekipeve si Kukësi, Teuta e Laçi, ata që shkuan në Europë.

Në Kupat e Europës përfaqësimi ka qenë më i dobët, kompeticioni tani kërkon më shumë cilësi, bota investon shumë dhe ekipet tona janë ende një hap mbrapa, duhet investim.

Ne nuk punojmë shumë sidomos në krijimin e mbrojtësve, jo vetëm për atë profil si mbrojtës por që dinë të ndërtojnë. Futbolli sot është shumë sulmues dhe superioriteti bëhet nga mbrojtësit. Ata krijojnë, janë ndërtues”, tha Muça. /vipsport/