Kampionët e ardhshëm të Anglisë i kanë vënë syrin edhe trofeut të parë europian këtë sezon. Sulmit të tyre atomik i shtohet edhe një mbrojtje më e ekuilibruar këtë sezon, me vetëm 4 gola të pësuar në 12 ndeshjet e luajtura deri tani.
Pasi tejkaluan tersin e tyre të ngecjes në çerekfinale, duke rifituar besimin, mënyra se si eliminuan PSG-së në gjysmëfinale ka larguar çdo dyshim për aftësinë e “Qytetarëve” për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni.
SEZONI DERI TANI – Treguesi më i fortë i fazës së grupeve të Sitit ishte se ata e mbyllën me rekordin e mbrojtjes më të mirë, me vetëm 1 gol të pësuar. Mbrojtja është bërë më solide pas ardhjes së Ruben Diazit, i cili ka rigjallëruar edhe Xhon Stonsin. Pasi fituan Grupin C, ata regjistruan fitore në transfertë kundër Gladbahut dhe Dortmundit, përpara se të prisnin biletën e tyre me dy triumfe fantastike kundër finalistëve të vitit të shkuar, PSG-së.
TAKTIKA – Pep Guardiola e ka përdorur sistemin me 9 false me një efikasitet të shkëlqyer këtë sezon, me Mahrezin, Fodenin, Silvën, De Bryjnen madje edhe Gyndoanin, të cilët kanë marrë rolin e sulmuesit me radhë. Pasi i kanë asfiksuar kundërshtarët deri tani me një ultra presing dhe pasimet tikitaka, “Qytetarët” nuk pritet të ndryshojnë qasje në Stamboll. Siç Guardiola tha: “Ne jemi mësuar duke luajtur në një mënyrë të caktuar dhe nuk mund ta bëjmë ndryshe”.
LOJTARI KYÇ – Siti ka një ekip plot me yje, por De Bryjne është ai që shkëlqen më shumë. Eleganca e tij, vizioni dhe diapazoni i atyre pasimeve të pameta, për të mos përmendur depërtimet e tij dhe finalizimet spektakolare, e bëjnë belgun një prej lojtarëve më të bukur për ta parë në botën e futbollit.
TRAJNERI – Në 11 sezone si trajner i parë, Pep Guardiola ka fituar 8 tituj kampion, por medaljen e fundit nga dy Champions që ai ka fituar me Barcelonën erdhi në vitin 2011. Ai do tentojë të bëhet trajneri i gjashtë që e fiton Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme.