Karlo Ançeloti te Milani? Nuk është hipotezë apo një thashethem, po është vetë trajneri italian i Realit të Madridit që nuk e ka përgënjeshtruar këtë rikthim te kuqezinjtë nëpërmjet mikrofonave të “RAI Radio 1”:
Rikthimi te Milani – “Do të flas vetëm ditën kur ta mbyll me Realin e Madridit. Nëse do ta mbyll me Realin pas 20 vitesh, mendoj se mund të shkoj drejt pensionit sesa të shkoj te Milani. Milani është një ndër skuadrat e të pakta që i kam në zemër sepse më ka rritur, jo si lojtar, por si trajner. Drejtor? Është Maldini që është duke bërë një punë të shkëlqyer, nuk ka nevojë për dy persona.”
Asensio – “Ai është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Ka pësuar një dëmtimet në gju vitet e fundit, rikuperimi i tij ka qenë mjaft i ngadaltë. Ai është një lojtar i rëndësishëm. E ardhmja e tij? Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por Asensio po flet me klubin për rinovimin e kontratës.”
Ibrahimoviç – “Pasi të lërë futbollin, ai mund të bëjë gjithçka. Për vetë faktin e njohurive që ka për futbollin, dinamikat në dhomën e zhveshjes, mund të bëjë gjithçka.”
Triumfet – “Është e vështirë të renditësh rezultatet që merr. Janë gjithmonë kënaqësi të mëdha, veçanërisht kampionatet ku vazhdimësia ka shumë rëndësi. Kampionati me Milanin në vitin 2004 ishte një garë e mirë, por nuk mund ta harroj edhe atë me Çelsin.”, përfundoi Ançeloti.